Deputetët: Kërkesat e shqiptarëve të luginës, na thanë t’i shprehim në Kuvend të Kosovës

Në Kuvendin e Kosovës, sot po diskutohet për situatën e Luginës së Preshevës.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi u dha deputetëve informata në lidhje me një vizitë të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, e cila ishte në qershor të këtij viti.

Ai tregoi për të gjitha problemet me të cilat po përballen shqiptarët e Luginës së Preshevës, Bujanocit, Medvegjës.

Nait Hasani, deputeti nga Partia Demokratike, tha se shqiptarët në Luginë shprehën kërkesat e tyre dhe kërkuan që këto kërkesa të paraqiten në Kuvend.

“Kanë qenë kërkesa të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Medvegjë e Bujanoc. Ato kërkesa na kanë prezantuar atje, kanë kërkuar nga ne që të prezantojmë në seancën e kuvendit që të kërkojmë mbështetje për këto kërkesë”, tha Hasani.

Sipas Hasanit, çështja më e rëndësishme e Medvegjës ka qenë regjistrimi i popullsisë.

“Çështja më e rëndësishme e Medvegjës ka qenë regjistrimi i popullësiisë dhe fshirja nga regjistrat që e bën administrata e Medvegjës. Prandaj kërkesa e tyre ka qenë të ndihmohet ajo pjesë e cila është më e madhe me territor se sa Prishtina, ndërsa me numër të banorëve sillet diku 600”, tha Hasani.

Arban Abrashi, Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tregoi se po ekziston një politikë e organizuar në Luginë e cila mund të qoj në migrimin e shqiptarëve në atë pjesë.

“Po flasim për një politikë të organizuar dhe të formuar në atë mënyrë që komunat që banohen e shqiptar të mos investohet në mënyrë që perspektiva e këtyre banorëve të zbehet dhe më pas të vijoj migrimi”, tha Abrashi.

Albin Kurti, Kryetari i LVV-së, tha se duhet të ndryshohet gjendja e shqiptarëve.

“Pa ndryshuar gjendja rrënjësisht për shqiptarët në Medvegjë, Bujanoc e Preshevë nuk është e mundur që Serbia të anëtarësohet në BE”, tha Kurti.

“Nga Prishtina është demobilizuar Lugina e Preshevës pikërisht në emër të premtimit që ata shumë shpejt do të na bashkëngjiten neve, pashkase më herët është zhvilluar një luftë dhe gjithashtu ishte mbajtur referendumi i 1-2 marsi 1992 i cili referendum nuk është përfshirë në pozicionet zyrtare as të Kosovës e as të Serbisë”, tha ai.