Konferenca e QKSS-së dhe Pointpulse për rolin e Kuvendit të Kosovës në Policinë e Kosovës- Foto: KALLXO.com

Deputetët e shoqëria civile diskutojnë si të rritet integriteti i Policisë së Kosovës

Zyrtarë të Policisë së Kosovës thanë sot se plani për forcimin e integritetit në këtë institucion “po ecën mirë”, deputetë të Kuvendit kritikuan zbatimin e ligjit nga institucionet e sigurisë ndërsa shoqëria civile kritikoi rolin që parlamenti po luan në ngritjen e profesionalizmit të institucioneve të rendit e sigurisë.

Në një konferencë kushtuar rolit dhe mbikëqyrjes së Kuvendit ndaj institucioneve të sigurisë, të organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë dhe rrjetit rajonal të organizatave të shoqërisë civile Pointpulse, përfaqësuesi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu, tha se është bërë një plan për ta rritur integritetin e Policisë.

“Sa i përket këtij plani atij të integritetit jemi duke ecur mirë, mbështetja nuk mungon. Fuqizimi i integritetit jo vetëm në polici lidhet edhe me faktorët e jashtëm, në rastin konkret, komisioni parlamentar për siguri ka ndikim mund të krijojë ndikim në fuqizimin e integritetit në polici pasi PK raporton te ky komision. Një nga vlerat e planit është llogaridhënia, veprimet tona në teren janë të verifikuara nga një autoritet më i lartë. Bashkëpunimi me komision është shumë i mirë. Fusha e llogaridhënies është një nga aspektet që komisioni ndihmon në fuqizimin e integritetit në polici”, tha Sadriu.

Zëvendës kryetari i parë i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rexhep Selimi, tha se hallka kryesore ajo e zbatimit të ligjit ka qenë sfidë dhe jo funksionale.

“Zbatimi i ligjit është hallka kryesore e cila nuk po zbatohet. Kur bëhet fjalë për integritet shpresoj që kemi arritut ta bëjmë ndarjen e Policisë së Kosovës dhe problemet që kanë të bëjnë me Policinë e Kosovës. Duhet të jemi të kujdesshëm që Policisë së Kosovës mos t’ia humbin integritetin”, tha Selimi.

Ai shtoi se duke qenë se problemet në Policinë e Kosovës dhe në Inspektorat janë serioze, komisioni do të vazhdojë të punojë në mënyrë serioze.

Fatmir Xhelili, anëtar në komision për punë të brendshme, siguri dhe FSK, tha se Policia e Kosovës dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës janë dy institucione të besueshme.

Sipas tij Policia e Kosovës ka dhënë rezultate të mira e të dukshme, duke pasur parasysh edhe pengesat dhe çalimet.

“Jemi të vetëdijshëm që politikat e sigurisë dhe faktori më i rëndësishëm është besimi i qytetarit në polici. Duhet të vazhdojmë që qytetari të vazhdojë të besojë në polici. Integriteti në polici nënkupton një aktivitet i cili duhet të ketë edukime dhe trajnime adekuate për ruajtje të integritetit dhe rritje të cilësisë së integritetit”, tha Xhelili.

Hulumtuesi i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Plator Avdiu, tha se kontrolli dhe mbikëqyrja e kuvendit ndaj Policisë dhe IPK-së, është e rëndësishme pasi kjo mbikëqyrje, sipas tij, garanton demokratizim të këtyre institucioneve.

“Roli i komisionit është i domosdoshëm edhe po shihet që ekziston një bashkëpunim i mirë. Duhet të ngriten pak më shumë kapacitetet brenda për brenda parlamentit. Është mirë të dëgjojmë nga deputetët që ka një koordinim të mirë. Besoj se grupi punues do të bëjë punë të mirë. Komisioni duhet të shikojë mundësitë që t’i rrisë kapacitetet e veta. Kapacitetet profesionale do të rriten kur komisioni do të japë më shumë kontribut sa i përket profesionalizmit të Policisë së Kosovës, Inspektoratit Policor dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës”, tha Avdiu.