Deputetët e pa interesuar për vazhdimin e seancës

Kanë kaluar mbi gjysmë ore prej kur do të duhej të fillonte seanca e Kuvendit të Kosovës e cila është thirrur për orën 10:00.

Por, interesimi i deputetëve është i vogël për të ardhur në seancë.

Pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit e cila është mbajtur sot në ora 9:00, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, e kanë konfirmuar se nuk do të marrin pjesë në seancën e sotme.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj tha se partia e tij nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme të Kuvendit, kurse për seancën e së enjtes, ku do të diskutohet për tri projektligjet të cilat rrisin kompetencat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Zemaj tha se LDK do të marr pjesë.

Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se nuk do të marrin pjesë.

“Qëndrimi ynë për seancën e sotme tashmë dihet, nuk do të marrim pjesë. Arsyet i dini, gjendja e njëjtë, institucionet e Kosovës janë duke treguar një jo qëndrueshmëri”, tha ai.

Përkundër që opozita me kohë paralajmëruan se nuk do të jenë pjesë e seancës edhe shumica e deputetëve të partive në pushtet nuk janë mbledhur në sallën e Kuvendit.