Foto: Kallxo.com

Deputetët e LDK-së: Uran Ismaili është ministër i Facebook-ut

Deputetët e Lidhjes Demokratike te Kosovës, Haxhi Avdyli dhe Naser Rugova, përmes një konference për media kanë kritikuar ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismailin për gjendjen në sektorin shëndetësor në vend.

Deputeti Haxhi Avdyli tha se, viti që kaloi ishte pa ndonjë reformë substanciale në shëndetësi.

“Në agjendën legjislative për vitin 2019 është i përfshirë vetëm Ligji për Shëndetësi, por jo edhe ai për sigurime shëndetësore. Ministri i Shëndetësisë del dhe manipulon për shumë projekte të cilat kanë nisur kohë më parë. Nuk kemi projekt të mirëfilltë për spitalin e Prishtinës dhe kemi ngecje edhe nëpër spitale të tjera”, tha deputeti Avdyli.

Ai kritikoi edhe Ligjin për Pagat, duke shtuar për shkak të pabarazisë, ai ka shkaktuar pakënaqësi edhe te punëtorët shëndetësor.

Ndërkaq, deputeti tjetër i këtij subjekti, Naser Rugova deklaroi se sistemi shëndetësor i Kosovës është në kolaps.

“Manipulimet e opinionit nga ky ministër i Facebook-ut, abuzimet me paranë publike dhe tendenca që projektet e filluar 2 e 3 vite më parë, t’ia adresojë vetvetes janë si pasojë e mossuksesit dhe mungesës së vizionit që pacientëve tu ofrojnë shërbime cilësore”, tha deputeti.

Rugova ka kërkuar nga ministri Ismaili që ta lërë Facebook-un dhe “selfiet me pacientë” dhe të punojë.