Deponitë e Bërllokut Vërshojnë Deçanin, Komuna Pret Majin

Nga hedhja vend e pavend e mbeturinave dhe moslargimi i tyre Deçani dhe fshatrat e kësaj komune janë vërshuar nga deponitë ilegale.

Drejtori i ndërmarrjes publike “Higjiena”, Sali Kuçi, thotë se nuk kanë ende marrëveshje me institucionet komunale për t’i larguar deponitë ilegale të mbeturinave.

“Për këtë vit nuk kemi bërë kurrfarë marrëveshje. E di që ka deponi ilegale shumë. Presim na vetëm me bo marrëveshje edhe mund t’i asgjësojmë këto mbeturina”, tha ai.

E mbeturina ka edhe para dyerve të ndërmarrjes “Higjiena”. Për praninë e tyre para dyerve të ndërmarres që drejton, drejtori Kuçi fajëson qytetarët.

“Fakt është që ka. Për çdo ditë e për çdo natë bijnë me kamiona mbeturina këtu. Po na nuk kemi fuqi që m’i ndalu. I kisha lutur edhe institucionet komunale, Policinë, Inspeksionin se çdo qytetarë që e shohim me kamiona t’i ndalojnë dhe t’i kërkojnë a ki pagesë diku, a pagun diku mbeturina”, tha Kuçi.

Ndërsa, institucionet komunale të Deçanit thonë se në muajin maj do të ndërmarrin veprime për  largimin e deponive ilegale të mbeturinave.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Izet Zenuni, tha për KALLXO.com se kanë evidentuar të gjitha deponitë ilegale që gjenden në ketë komunë.

“Ne e kemi bërë një projekt të tillë, do të thotë jemi duke punuar ende në të. Është e paraparë me faza të caktuara edhe mendoj që maji do të jetë komplet i angazhuar si Drejtori, si Komunë, si kompani “Higjiena”, por edhe kompani private kemi takime. Njëkohësisht kanë shprehur gatishmëri edhe bankat që veprojnë në nivel komune të na bashkëngjiten në këtë aksion”, tha Zenuni.

Përgjegjës për gjendjen e krijuar në qytet e fshatra me deponitë e bërllokut, Adem Lushaj nga shoqëria civile i bën qytetarët dhe institucionet komunale.

“Janë si pasojë e shumë faktorëve, si nga qytetarët, institucionet, mirëpo edhe nga  mosrespektimi i ligjit”, tha ai

KALLXO.com kishte raportuar disa herë për problemet me mbeturina në komunën e Deçanit dhe grevën e punëtorëve të kompanisë “Higjiena” për mosmarrjen e disa pagave.

http://kallxo.com/punetoret-kerkojne-greve-5-pagat-e-vonuara/

Drejtori i kompanisë, Sali Kuçi, bëri të ditur se muajin e kaluar janë paguar pesë pagat për punëtorët nga vetëfinancimi i kompanisë.