Dënohet nga Themelorja, Vazhdon Punën në Kushtetuese

Ndonëse u dënua nga Gjykata Themelore e Prishtinës, sekretari i përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës Milot Vokshi po vazhdon punën e tij në institucionin më të lartë juridik të vendit.

Vokshi  në  fund të dhjetorit  të vitit të kaluar u dënua me 6 muaj burg nga Gjykata Themelore e Prishtinës për keqpërdorimim të detyrës zyrtare lidhur me veprën penale të cenimit të barazisë në ushtrimin e veprimtarisë ekonomike.

Së bashku me Vokshin, nga Gjykata Themelore ishte dënuar edhe ish-sekretari i përhershëm i Ministrisë së Arsimit, Xhavit Dakaj.

Edhe pse i dënuar, Vokshi vazhdon të mbajë punën e tij, edhe pse për dënimin e shqiptuar ndaj tij ka informuar kryetaren e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Arta Rama –Hajrizi.

Veton Dula, zyrtar për informim pranë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës duke iu përgjigjur pyetjeve të dërguara nga KALLXO.com, tha se Vokshi ka ushtruar ankesë ndaj vendimit që e dënoi me 6 muaj burg.

“Sekretari Vokshi njëherësh e ka njoftuar kryetaren Rama-Hajrizi dhe gjyqtarët e tjerë të Gjykatës për ankimimin e vendimit të Gjykatës Themelore në instancat e tjera, me të pranuar aktgjykimin në formë të shkruar”, thuhet në përgjigjen e Dulës për KALLXO.com.

Sipas përgjigjeve të Gjykatës Kushtetuese, Vokshi do të vazhdojë të kryejë punën e tij deri në plotfuqishmërinë e vendimit.

“Duke mos e paragjykuar epilogun e procedurave të mëtutjeshme gjyqësore në rastin e z. Vokshi dhe duke u mbështetur në parimin e prezumimit të pafajësisë deri në një vendim përfundimtar, përkitazi me këtë çështje Gjykata Kushtetuese do të marrë vendim në përputhje me ligjet në fuqi”, thuhet në përgjigjen e dërguar nga Gjykata Kushtetuese për KALLXO.com.

Vendimi dënues për Vokshin dhe Dakajn nuk është i plotfuqishëm deri në vendosjen lidhur me këtë rast të Gjykatës së Apelit.

Rastet e tilla në Gjykatën e Apelit në Kosovë nuk trajtohen me prioritet pasi që të dënuarit nga gjykata e shkallës së parë nuk janë në vuajtje të paraburgimit.

Vitin e kaluar Gjykata e Apelit njoftoi se u dha zgjidhje 10 mijë e 534 lëndëve, ndërsa i mbetën të papërfunduara 11 mijë e 354 lëndë.

http://kallxo.com/apeli-zgjidh-mbi-10-mije-lende-11-mije-mbesin/