Dënohet me burg Zvonko Veselinoviq

Një gjykatë serbe ka dënuar sot me burg biznesmenin kontroverz nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq.

Sipas portalit “krik.sr”, Veselinoviq është dënuar në Pirot për nxjerrje të paligjshme të zhavorrit.

Pjesë e gjykimit ishte edhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili megjithatë u lirua nga akuzat.

Gjyqtari Bojan Antiq tha se nuk kishte dëshim se Radoiçiq mori pjesë në këtë biznes.

Përveç Veselinoviqit me nga dy vjet burg janë dënuar edhe Goran Makragiq dhe Ivan Stamenoviq.

Vetëm ky i fundit ishte i pranishëm nga të akuzuarit në seancën e shpalljes së aktgjykimit.

Sipas portalit serb, ky aktgjykim nuk është përfundimtar sepse mund të apelohet në Gjykatën e Apelit.

Aktgjykimi i sotëm është i dyti nga Gjykata e Pirotit. Në të parin, më 2017, i njëjti gjyqtar i kishte liruar të katër të pandehurit, por Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim.

Katër të pandehurit akuzoheshin për keqpërdorime në lidhje me punimet për ndërtimin e pjesës së rrugës nga Piroti në Dimitrovgrad, që është pjesë e Korridorit 10.

Ata u akuzuan se nga maji 2011 deri në qershor 2012 nxorën zhavorr në mënyrë të paligjshme dhe pastaj e përdorën për ndërtimin e rrugëve.

Një hulumtim i BIRN-it kishte zbuluar se Zvonko Veselinoviq, i njohur si udhëheqës i “Rojeve të Urës”, një grup serbësh (tash i shpërbërë) që akuzohej për sulme kundër shqiptarëve në Mitrovicë, kishte dërguar zhavorr e gurë edhe për ndërtimin e autostradës “Ibrahim Rugova”.

Ish-Roja Famëkeqe e Urës Ndihmoi në Ndërtimin e “Autostradës Patriotike” në Kosovë

www.kallxo.com