Gjykimi i ish-ndihmësministrit maqedonas - Foto: Rtv21

Dënohet me 9 vjet burg ish-ndihmësministri maqedonas

Ish-ndihmësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme në Maqedoni, Gjoko Popovski, e ka keqpërdorur funksionin zyrtar dhe në mënyrë joligjore ka blerë 300 automobila për policinë në vitin 2008.

Gjykatësja Dobrilla Kacarska shpjegoi se ai e ka marrë Raportin e Komisionit që e ka kryer furnizimin publik për automobilat, edhe pse kjo ka qenë në kundërshtim me Ligjin për furnizim publik.

Andaj, nuk është e mundur të mos ketë ditur për ofertën më adekuate, por edhe për pasojat e dëmshme.

“I akuzuari Gjoko Popovski si ndihmësministër për furnizime publike në MPB, ka qenë i angazhuar që të kujdeset për mjetet e ministrisë. I njëjti e ka pasur patjetër të sillet në mënyrë efikase gjatë çdo furnizimi publik, e jo të lejojë që të dëmtohet Ministria. Më konkretisht bëhet fjalë për shumë prej 27.894.522 denarë. Njëkohësisht i njëjti është dashur të jetë i vetëdijshëm se në mënyrë joligjore janë shpenzuar paratë e qytetarëve të RM-së”, tha gjykatësja Dobrilla Kacarska.

Popovski është i akuzuari i vetëm në rastin “300”, i hapur nga Prokuroria speciale.

Ai u dënua me 9 vite burg dhe pagim të dëmit të vlerësuar, në vlerë prej pothuajse gjysmë milion euro.

Vendimi gjyqësor dhe lartësia e dënimit ishte i papritur për avokatin e tij i cili paralajmëroi ankesë.

“Të jepet dënim prej nëntë viteve për vepër penale që është kryer para dhjet viteve në furnizim publik, për të cilën tani ekzistojnë interpretime të ndryshme të rregullave, se a janë zbatuar siç është dashur apo jo, nuk mund të komentoj. Do të përmbahem. Këtë e kërkoi nga unë në mënyrë të denjë, ta dëgjojmë vendimin gjyqësor dhe të vazhdojmë të luftojmë me ankesë në Gjykatën e Apelit”, tha Sterjo Zikov, avokat, shkruan Tv21.tv.

Menjëherë pas shqiptimit të dënimit, PPS-ja kërkoi arrestim të të akuzuarit, për shkak se ekziston rrezik për përsëritjen e arratisjes siç ndodhi me Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski, të akuzuar për përgjim masiv në Maqedoni, para disa viteve.

“Deri më sot, organet gjyqësore janë përballuar me pamundësinë që në mënyrë të suksesshme të udhëheqin procese kundër tyre. Kjo rrethanë besoj se mund të ndikojë edhe në të akuzuarin Gjoko Popovski, që edhe ai të vendos për një hap të tillë”, tha Fatime Fetai, prokurore e PPS-së.

Për shkak të problemeve familjare dhe shëndetësore, Popovski pohoi se nuk do të arratiset.

“Me të vërtetë, nuk kam mundësi, nuk kam nevojë, nuk dëshiroj e as nuk mendoj për tu arratisur”, tha Gjoko Popovski.

Ky është dënimi më i lartë i shqiptuar për të akuzuar në lëndët gjyqësore të ngritura nga PPS-ja, në bazë të bisedave të përgjuara telefonike.

Gjoko Popovski do të mbetet në Shuto Orizare deri sa vendimi gjyqësorë të bëhet i plotfuqishëm, përkatësisht përderisa nuk i shfrytëzon gjithë mundësitë për ankesa deri te gjykatat më të larta./21Media