Gjykata Themelore e Prizrenit

Dënohet me 3 vjet burgim si dhe 1 mijë euro gjobë për vjedhje të rëndë

Gjykata Themelore në Prizren i shqiptoi dënim me burgim dhe dënim me gjobë të akuzuarit për vjedhje të rëndë.

I akuzuari me inicialet J.B. nga Komuna e Drenasit është shpallur fajtor dhe është dënuar për veprën penale vjedhje e rëndë në bashkëkryerje.

Gjykata Themelore në Prizren, të njëjtit i ka shqiptuar dënim me burgim prej tre vjetëve si dhe dënim me gjobë në shumën prej një mijë eurove.

Të akuzuarit në dënim do të i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Sipas komunikatës për media të lëshuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit, thuhet se në shqiptimin e dënimit ndaj të akuzuarit ka ndikuar edhe fakti se i akuzuari është recidivist i veprave penale.

Sipas aktakuzës në janar të këtij viti në magjistralen Prizren-Suharekë, i pandehuri së bashku me të pandehurin me iniciale F.H., me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete apo personin tjetër, me përdorimin e forcës, marrin pasurinë e luajtshme të dëmtuarit me iniciale B dhe F. K. në atë mënyrë që shfrytëzojnë momentin e volitshëm mos prezencën e të dëmtuarit.

Më tej në aktakuzë thuhet se ata i janë afruar automjetit të dëmtuarit dhe me përdorimin e forcës me mjet të përshtatshëm, thyejnë xhamin nga ana e shoferit të automjetit me targa të regjistrimit Zviceran nga ku marrin shuma të konsiderueshme para, një letërnjoftim, patentë shoferin e Kosovës, kartelat e bankës, kuleta e punës, kartela e sigurimit dhe largohen nga vendi i ngjarjes.