Foto: Ilustrim

Dënohet ish-arkëtari i Ujësjellësit në Mitrovicë

Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka dënuar me 30 ditë burgim efektiv, Mirsad Veselin, i cili akuzohej nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, se në pozitën e arkëtarit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) “Mitrovica”, ka përvetësuar shumën prej 1 mijë e 511 euro e 30 cent.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, në periudhën gusht-shtator të vitit 2016, Mirsad Veseli në cilësinë e arkëtarit në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit – KRU “Mitrovica”  për vete ka përvetësuar të hollat që i janë besuar në bazë të detyrës zyrtare.

Akuza thotë se veprën penale e ka kryer duke mos e dorëzuar në arkën e kompanisë shumën e parave të inkasuara nga evidencat e konsumatorëve të cilët e kishin kryer pagesën.

Po ashtu i akuzuari Veseli nuk e ka shlyer nga evidenca borxhin e konsumatorëve të cilët kishin kryer pagesë, me ç’rast kishte përvetësuar shumën prej 1 mijë e 511 euro e 30 cent.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “përvetësimi në detyrë”.

Përveç dënimit me burgim, i akuzuari Veseli, i cili nuk ka marr pjesë në shpalljen e aktgjykimit, është obliguar që të dëmtuarës, KRU “Mitrovica”, t’i paguajë shumën e përvetësuar prej 1.511.30 euro, duke përfshirë edhe kamatën gjithsej në vlerë prej 1 mijë 733 euro.

 

https://kallxo.com/arketari-pervetesoi-mbi-1500-euro-te-ujesjellesit-pranon-fajesine-para-gjykates/

https://kallxo.com/gjykatesi-ne-seminar-nuk-shpallet-vendimi-per-arketarin-e-akuzuar-per-1511-euro-2/