Në një nga seancat e gjykimi të Nexhat Ademit FOTO: KALLXO.com

Dënohet i akuzuari për terrorizëm

Nexhat Ademi i akuzuar për veprën penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grupet terroriste,  Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me dy vjet burgim me kusht.

Gjykatësi Vesel Ismajli deklaroi se ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari brenda tri viteve  nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.

Lajmin për Kallxo.com e konfirmoi gjykatësi Vesel Ismajli.

Ademit i është ndërprerë edhe  masa e paraburgimi.

Gjykata Themelore në Prishtinë në mars të vitit të kaluar, Nexhat Ademin e kishte dënuar me tre vite burgim për veprën penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grupet terroriste.

Ndryshe, këtë çështje penale, Gjykata e Apelit në Prishtinë e ka kthyer në rigjykim me arsyetimin se ky aktgjykim i gjykatës së shkallës së parë është nxjerrë me shkelje të dispozitave procedurale dhe se në të nuk janë paraqitur fare arsyet në lidhje me faktet vendimtare.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Nexhat Ademin e akuzonte se më 17 janar 2014 ka udhëtuar nga Aeroporti i Prishtinës për në Stamboll, e pastaj nga Stambolli ka udhëtuar për në qytetin Gazientep të Turqisë, afër kufirit me Sirinë, e nga aty ka arritur të kalojë në territorin e Sirisë me dashje që t’i bashkohet dhe të bëhet pjesë e organizatës “Al-Nusra”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Ademi pasi që ka qëndruar një javë në Siri është kthyer në Kosovë.

Prokuroria pretendon se Ademi më 4 mars 2016 ka provuar që përsëri të shkojë në Siri, duke shfrytëzuar rrugën Shkup-Stamboll, mirëpo i njëjti pasi mbërrin në Aeroportin e Stambollit, autoritetet turke e ndalojnë, e pastaj e dëbojnë për shkak të lidhjes së tij me zonën e luftës.