Dënohet Djali i ish-Guvernatorit të BQK-së

Gentian Rexhepi është dënuar me 19 vjet burgim për vrasjen e kryer më 2 janar 2009, afër lokalit "Garden", në Prishtinë. I biri i ish-guvernatorit të BQK-së në rigjykim u dënua edhe me gjobë prej 2.000 euro për armëmbajtje pa leje.

Gjykata Themelore e Prishtinës pas rigjykimit ka shpallur fajtor Gentian Rexhepin për veprën penale vrasje e rëndë dhe e ka dënuar me 19 vjet burgim.

I biri i ish-guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi, është gjetur fajtor edhe për veprën penale armëmbajtje pa leje dhe është dënuar me 2.000 euro gjobë.

Gentian Rexhepi akuzohet për vrasjen e Arben Gashit natën e 2 janarit të vitit 2009, në afërsi të lokalit “Garden”, në Prishtinë. Në këtë rast ka mbetur i plagosur edhe i pandehuri Albert Isufi, i cili po ashtu u dënua sot me 5 vjet burgim për veprën penale shtytje në vrasje të rëndë.

Pas seancës, Ramë Gashi, avokat i Gentian Rexhepit, tha për KALLXO.com se e ka pritur një vendim të tillë që nga fjala përfundimtare dhe se ky vendim është në kundërshtim me standardet e gjykimit të drejtë.

“Unë në fakt në fjalën time përfundimtare kam pritë diçka të ngjashme, një vendim të tillë. Mirëpo, siç e kam thënë edhe më herët, e po e them edhe tani, ky proces nuk ka plotësuar standardet për sa i përket një gjykimi të drejtë, si e drejtë e garantuar për qytetaret e Kosovës me Kushtetutën e Kosovës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut që drejtpërsëdrejti implementohet në Kosovë”, tha Gashi.

Sipas avokatit, Gjykata nuk i ka respektuar udhëzimet që i ka dhënë Gjykata e Apelit.

“E them këtë sepse është fakt notor se Gjykata gjatë këtij procesi të rigjykimit nuk i ka zbatuar asnjë nga udhëzimet që i ka bërë Gjykata e Apelit në aktgjykimin  e saj. Duhet të ceket se Gjykata e Apelit ka urdhëruar që të bëhet një super-ekspertizë për t’u zbardhur në mënyrë të drejtë gjendja faktike dhe të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin”, vazhdoi Gashi.

Mbrojtësi i Gentian Rexhepit tha se porsa të marrë aktgjykimin me shkrim do të ushtrojë ankesë.

“Në momentin që do ta marrim vendimin sigurisht se mbrojtja do të ushtrojë ankesë, sepse janë shkelë të drejtat. Nuk e vlerësoj shumë që është ulur dënimi, sepse mendoj që është nxjerrë një vendim i padrejtë”, përfundoi Ramë Gashi.

Pasi që lënda ishte kthyer në rigjykim, për Atdhe Kukajn është veçuar procedura pasi që ai kishte shkuar jashtë vendit.

Gjykata e Apelit më 14.05.2014  kishte nxjerrë një aktvendim me të cilin e kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtine dhe çështjen e kishte kthyer për rivendosje. Kjo ka ardhur pas paraqitjes së ankesave nga Prokuroria Themelore e Prishtinës dhe mbrojtësit e të akuzuarve.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 4 nëntor 2013 kishte shpallur aktgjykimin, në bazë të të cilit i akuzuari Gentian Rexhepi ishte dënuar me 22 vjet burgim për veprën penale vrasje e rëndë, ndërsa për veprën penale armëmbajtje pa leje ishte dënuar me gjobë prej 2.000 euro.

Gjykata Albert Isufin e kishte dënuar me 5 vjet burgim për veprën penale shtytje në vrasje të rëndë.

Atdhe Kukaj nga Gjykata  për veprën penale vrasje e rëndë në tentativë ishte dënuar me 4 vjet burgim, ndërsa për veprën penale të armëmbajtjes ishte dënuar me gjobë 1.000 euro.

Pasi që prokurori kishte hequr dorë nga ndjekja penale kundër të akuzuarve Granit Rexhepi dhe Xhafer Canolli, Gjykata kishte marrë aktgjykim refuzues.

Në Gjykatën e Apelit prokuroria kishte parashtruar ankesë  duke kërkuar që personave që janë dënuar t’u shqiptohen dënime më të larta me burg dhe me gjobë.

Mbrojtësi i Gentian Rexhepit ka kërkuar nga Gjykata e Apelit që këtë të akuzuar për shkak të mungesës së provave ta lirojë ose çështjen ta kthejë në rigjykim ose nëse gjendet fajtor, të akuzohet për veprën vrasje e kryer në vetëmbrojte.

Që të akuzuarin ta liroj ose ta kthej çështjen në rivendosje e ka kërkuar edhe mbrojtësit e Albert Isufit, mbrojtësi i të akuzuarit tjetër Atdhe Kukaj ka kërkuar që Gjykata e Apelit në mungesë  të provave  ta liroj këtë të akuzuar

Prokuroria e Apelit ka propozuar që të pranohet ankesa e Prokurorisë Themelore që të akuzuarve t’u shqiptohen dënime më të larta, ndërsa të refuzohen kërkesat e mbrojtësve.

Gjykata e Apelit konstatoi se ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve janë të bazuara ndërsa ankesa e Prokurorisë Themelore tani është jolëndore

Gjykata  e Apelit konsideron se vendimi i shkalles së parë ka shkelje të procedurave penale dhe arsyet e dhëna në aktgjykim janë të paqarta dhe kundërthënëse. Po ashtu, Gjykata është dashur ta pranojë propozimin e mbrojtjes që të caktojë një super-ekspertizë e po ashtu pa ndonjë arsyetim nuk janë aprovuar propozimet e mbrojtjes për dëgjimin e 7 dëshmitarëve të tjerë.

[interaction id=”56c62c04ee2dfdd3605f61ed”]

18 Shkurt 2016 - 21:25

18/02/2016 - 21:25
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend