Gjykimi për përleshjen në qendrën e fitnesot "Fivestar" - Foto: KALLXO.com

Dënohen të akuzuarit për përleshjen në qendrën e fitnesit

Gjykata e Prishtinës i ka shpallur fajtorë të akuzuarit Igor Masanoviq, Vukan Vujaçiq dhe Agim Spahiu për përleshjen e cila ndodhi në vitin 2017 në qendrën e fitnesit “Fivestar”, në rrugën “B”, në Prishtinë.

Të akuzuarit janë dënuar më dënim të përgjithshëm prej gjashtë vjet e tre muaj burg dhe 3.000 euro gjobë.

Igor Masanoviq është shpall fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 3 vjet e 3 muaj për veprat penale lëndim i rënd trupor dhe armëmbajtje pa leje.

Prokuroria në seancën e kaluar për të akuzuarin Masanoviq, kishte bërë ricilësimin e veprës penale nga vrasje e rëndë në tentativë në lëndim të rënd trupor.

Vukan Vujaçiq është shpallur fajtor për veprat penale lëndim i lehtë trupor, blerje, posedim dhe shpërndarje e narkotikëve, kultivim i bimës së hashashit dhe armëmbajtje pa leje.

Ai është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 3 vjetësh si dhe me dënim me gjobë në shumën prej 1.000 euro.

Kurse i akuzuari Agim Spahiu është shpall fajtor për veprën penale – pjesëmarrje në rrahje dhe është dënuar me gjobë në shumën 2.000 euro.

Si dënim plotësues Gjykata vendosi t’ua konfiskojë të akuzuarve Igor Masanoviq dhe Vukan Vujaçiq armën e kalibrit 9 mm, 3 maska, 14 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe dy fotrolla të armëve si dhe lloje të ndryshme të substance narkotike.

Gjithashtu të akuzuarit Igor Masanoviq dhe Vukan Vujaçiq janë obliguar që në emër të shpenzimeve të procedurës penale dhe të paushallit gjyqësor të paguajnë shumën prej 300 euro.

Ndërsa i akuzuari Agim Spahiu është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 50 euro.

I akuzuar në këtë rasti kishte qenë edhe Granit Agushi, mirëpo ndaj tij është veçuar procedura për arsye se i njëjti gjendet jashtë vendit.

Vlen të ceket se shpallja e aktgjykimit ishte parapara të bëhet  në ora 9:00, mirëpo kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kukaj- Mekaj, e rihapi edhe një herë shqyrtimin gjyqësor për arsye se në seancën e kaluar ishte bërë një gabim teknik në ngatërresë të emrave të të akuzuarve, dhe shpallja u bë në ora 11:00.

Nga ky gabim i akuzuari Igor Masanoviq ishte deklaruar rreth veprës penale – lëndim i lehtë trupor, vepër e cila i takonte të akuzuarit Vukan Vujaçiq.

“Në seancën e kaluar jeni deklaruar fajtor Igor për veprat penale – lëndim i lehtë trupor, armëmbajtje pa leje, ndërsa për vrasje e rëndë në tentativë nuk jeni deklaruar fajtor.

Dhe ju jeni deklaruar për një vepër penale që nuk u vihet në barrë  për shkak se ka ardhur deri te ngatërresa me emra, për këtë arsye u rihap shqyrtimi gjyqësor”, tha gjykatësja.

Më pas prokurorja Shemsije Asllani tha se ka qenë një gabim teknik për arsye se identiteti i të akuzuarve kishte qenë më herët ndryshe por më vonë ishte zbuluar.

“Pas vërejtjes nga ana e kryetares së trupit gjykues, për të cilën janë bërë ngatërrimi i emrave për arsye se identiteti i tyre ka qenë nga Peter Stojanoviq e me vonë është zbuluar se është Igor Masanoviq, dhe nga Llazar Stojanoviq tani në Vukan Vujaçiq. Sipas aktakuzës së ndryshuar me 2 prill 2019, ku të akuzuarit janë deklaruar fajtorë, dhe sipas aktakuzës Igori është vërejtur se është deklaruar fajtor për veprën penale lëndim i lehtë trupor, ku për këtë vepër ish-dashtë me u deklaru i akuzuari Vukan”, tha prokurorja Asllani.

Sipas aktakuzës i pandehuri Peter Stojanoviq, tani Igor Masanoviq, me datën 20.09.2017 deri sa ishte duke ushtruar në fitnesin “Fivestar” në rrugën “B”, në Prishtinë, me të pandehurin Vukan, ku i pandehuri Igor fjaloset me të dëmtuarin Agim Spahiu, dhe në atë moment  vjen edhe i pandehuri Vukan Vujaçiq për t’u përleshur me Spahiun.

I pandehuri Igor me qëllim që të privojë nga jeta të dëmtuarin Spahiu, shkon në zhveshtore dhe merr revolen në çantë dhe fillimisht godet Agimin në kokë, ku merr plagë shqyese ndrydhëse në regjionin muror, dëmtimet janë shkaktuar nga veprimi mekanik i mjetit të fortë, duke i shkaktuar dëmtime të rënda trupore, pastaj i pandehuri menjëherë pas goditjes së të dëmtuarit në drejtim të tij shkrep armën e llojit “Crvena Zastava”, e tipit HS-95, ku predha e dalë nga arma shkon në drejtim të kokës së të dëmtuarit Agim Spahiu, i cili pas reagimit të shpejtë arrin t’i shmanget goditjes dhe plumbi arrin të depërtojë në plafonin e lokalit “Fivestar”, ku rrezikohet jeta e personave të tjerë që ishin duke ushtruar aty.

Me këtë i pandehuri ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë në tentativë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Granit Agushi pas gjuajtjes me armë nga i pandehuri Igor Masanoviq, të pandehurit dalin jashtë nga lokali dhe në fund të shkallëve, të pandehurit Igor i bie thika nga trupi dhe arrin t’ia marrë Agushi, i cili e godet më thikë të pandehurin Igor Masanoviq dhe ky merr lëndime të rënda trupore.

Me këtë i pandehuri Granit Agushi ka kryer veprën penale – lëndim i rëndë trupor.

Tutje në aktakuzë thuhet se i pandehuri Vukan Vujaçiq ia merr nga dora thikën të pandehurit Granit Agushi dhe të njëjtin me dashje që t’i shkaktojë lëndime trupore e sulmon, duke e goditur me thikë në krahun e majtë, me ç’rast i shkakton lëndim të lehtë trupor.

Ndërsa i pandehuri Agim Spahiu pas përleshjes në mes të Graniti dhe Vukanit është përfshirë në përleshje, duke sulmuar njërin-tjetrin fizikisht. Pastaj i pandehuri Igor e Vukan largohen me shpejtësi në drejtim të kompleksit banesor “Blini”.

Më këtë Prokuroria i akuzon për veprën penale – pjesëmarrje në rrahje.

Sipas aktakuzës, pas një bastisjeje në banesën në të cilën jetonin me qira të pandehurit Igor Masanoviq dhe Vukan Vujaçiq, Policia ka gjetur dhe konfiskuar tri qese me substanca të narkotikëve të llojit marihunana në peshë prej 205.33 gramë, të cilat i mbanin me qëllim të shitjes, si dhe dy mullinjve për bluarjen e narkotikëve dhe një pajisje për tymosjen e narkotikëve.

Me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale, blerje, posedim, shpërndarja dhe shitje e paautorizuar të narkotikëve.

Tutje të pandehurit Igor Masanoviq dhe Vukan Vujaçiq në kohë dhe vendin e njëjtë  gjatë bastisjes, në ballkonin e banesës së lartcekur janë gjetur dy bimë narkotike të llojit kanabis, të mbjella në saksi, të cilat janë konfiskuar nga Policia.

Më këtë kanë kryer veprën penale – kultivim i bimës së hashashit, të shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Igor Masanoviq dhe Vukan Vujaçiq pa autorizim kanë poseduar armë. Gjatë bastisjes, Policia ka gjetur një armë e tipit “HS”, një revole e tipit “Colt”, tri maska, disa fishekë dhe dy fotrolla të armëve.

Më këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – armëmbajtje pa leje.

Ndërsa aktakuza thotë se gjatë bastisjes së banesës janë gjetur një letërnjoftim me emër të Luka Janiçiq, në të cilën ishte vendosur fotoja e të pandehurit Igor Masanoviq, një patentë shofer slloven, në të cilën ishte po ashtu fotoja e të njëjtit.

Me këtë, sipas aktakuzës, ai ka kryer veprën penale – falsifikim i dokumenteve.