Dënohen Dërguesit Drejt Gjermanisë të Migrantëve Ilegalë

Gjykata Themelore në Mitrovicë dënoi me nga 4 vjet burg dhe nga 1 mijë euro gjobë Nazmi Dreshajn dhe Hashim Ahmetin, ndërsa me 2 vjet e gjysmë dhe 500 euro gjobë Sokol Bajselmanin.

Dënimit nuk i shpëtuan as Blerim Gecaj e Muhamet Shahiqi që u dënuan me nga një vit e gjysmë burg dhe nga 500 euro gjobë.

Dënimet i shqiptoi gjyqtari Beqir Halili, ndërsa gjykata obligoi Sokol Bajselmanin, Nazmi Durmishajn dhe Hashim Ahmetin që t’i paguajnë shumën prej 3.000 eurove të dëmtuarit Sadri Morina.

Sipas aktakuzës së ndryshuar të Prokurorisë Speciale, të akuzuarit Sokol Bajselmani, Hashim Ahmeti, Nazmi Durmishaj dhe Blerim Gecaj, ngarkohen se gjatë vitit 2010 pas marrëveshjes mes vete në regjionin e Komunës së Skenderajt, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore financiare janë marrë me trafikim të migrantëve.

Këta katër të akuzuar, sipas prokurorisë, i kishin organizuar udhëtim ilegal drejt Gjermanisë të dëmtuarit Sadri Morina duke i vendosur në pasaportë një lejeqëndrim të Gjermanisë.

Për këtë lejeqëndrim të vendosur në pasaportë, Morina u kishte dhënë të akuzuarve 2500 euro.

Por Morina, sipas aktakuzës, nuk kishte mundur të shkojë në Gjermani, pasi gjatë kalimit në Slloveni kufitarët e këtij shteti kishin konstatuar se ai ka lejeqëndrim të falsifikuar, duke e kthyer në Kosovë.

Të akuzuarit, sipas prokurorisë i kishin organizuar udhëtim ilegal drejt Gjermanisë edhe Bujar Morinës, duke e pajisur me vizë gjermane.

Për këtë vizë në aktakuzë thuhet se Bujar Morina ia dha të akuzuarit Hashim Ahmeti 3 mijë euro.

Bujar Morina ishte më me fat se Sadri Morina, pasi në aktakuzë thuhet se ai hyri në shtetin gjerman dhe qëndroi atje deri më 6 korrik 2010.

Për këto organizime udhëtimi dhe vendosje të lejeqëndrimeve e vizave nëpër pasaporta, të akzuaurit ngarkohen për trafikim me migrantë në pikën e parë të aktakuzës.

Për të njëjtën vepër penale në pikën e dytë të aktakuzës ngarkohen Muhamet Shahiqi, Hashim Ahmeti dhe Nazmi Durmishaj.

Këta të tre duke u marrë vesh mes veti i organizuan të dëmtuarit Afrim Hajraj hyrjen ilegale në Austri, në mënyrë që Hajraj pastaj të emigrojë në Belgjikë.

Prokuroria pretendon se Hajraj për këtë veprim ia dha Hashim Ahmetit 1500 euro.

Por në aktakuzë bëhet e ditur se Hajraj nuk arriti në destinacionin që synonte, pasi i nisur në udhëtim npër Serbi së bashku me të akuzuarin Nazmi Durmishaj, u ndalua nga autoritetet hungareze që e detyruan të kthehet në Kosovë.

Gjykata në Mitrovicë dënoi pesë të akuzuarit për trafikim me migrantë, pasi kjo çështje u kthye dy herë në rigjykim nga Gjykata e Apelit.