Dënimi për terrorizëm, avokati paralajmëron ankesë në Apel

Bekim Sylejmani, avokati i Besim Shabanit, njëri prej 6 të dënuarve sot për terrorizëm, paralajmëroi ankesë në Gjykatën e Apelit ndaj këtij aktgjykimi.

Klienti i tij, Besim Shabani, është dënuar me 3 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Avokati tha para mediave se vendimi i Gjykatës Themelore është i padrejtë dhe i pabazuar në prova.

“Është një vendim i gabuar, nuk mbështetet me prova dhe fakte të cilat janë shtjelluar gjatë seancave gjyqësore. Sa i përket të mbrojturit tim nuk ka pasur asnjë provë të vetme materiale për të vendosur në lidhje me këtë çështje. Do ta presim aktgjykimin që na vjen në formë të shkruar do ta apelojmë në Gjykatën e Apelit”, tha avokati.

Ai beson se Gjykata e Apelit do të marrë në konsideratë të gjitha theksimet në ankesë dhe se këtë çështje do ta zgjidhë në mënyrë “më të drejtë se Gjykata e shkallës së parë”.

Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli sot aktgjykimin ndaj të akuzuarve për vepra penale të cilat ndërlidhen me terrorizëm.

Trupi gjykues në krye me gjyqtaren Suzana Çerkini shpalli aktgjykimin me anë të të cilit, gjashtë të akuzuarit për vepra penale të terrorizmit u shpallën fajtorë si dhe njëri prej të akuzuarve u shpall fajtor për armëmbajtje pa leje.

Besim Shabani, Adil Bushi, Egzon Latifi, Jetmir Bushi, Artan Kadriu, Bekim Halili u shpallën fajtor secili veç e veç për veprën penale pjesëmarrje në grupet terroriste.

Bekim Halili u shpall fajtor edhe për veprën penale armëmbajtje pa leje, e po ashtu edhe Kutjim Bytyqi i akuzuar për armëmbajtje pa leje u shpall fajtor dhe ndaj tij Gjykata shqiptoi dënim me kusht prej 8 muajve burgim.

Besim Shabani e Egzon Latifi janë dënuar me dënim me burgim prej 3 vjetësh, Adil e Jetmir Bushi u dënuan me 2 vjet e 4 muaj burgim, Artan Kadriut Gjykata i shqiptoi dënim me burgim prej 4 vjetësh, e Bekim Halilit  i cili ishte i akuzuar për pjesëmarrje në grupet terroriste si dhe armëmbajtje pa leje Gjykata i shqiptoi dënimin unik prej 3 vjetësh burgim.

Kurse Jeton Hajdini në mungesë të provave është liruar nga aktakuza.

Të akuzuarve në dënim do t’u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Sipas këtij aktgjykimi, secili nga të akuzuarit është i detyruar që pas plotfuqishmërisë së këtij Aktgjykimi të paguajë shumën prej 100 eurove në emër të paushallit gjyqësor me përjashtim të Jeton Hajdinit, i cili lirohet nga akuza në mungesë provash.

Me anë të këtij aktgjykimi të akuzuarve Bekim Halilit dhe Kujtim Bytyqit, armët e konfiskuara do t’u sekuestrohen në mënyrë të përhershme.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë më 7 maj 2015 ndaj Kujtim Bytyqit, Hadi Nurës, Besim Shabanit, Betim Ibrahimajt, Adil Bushit, Egzon Latifit, Jetmir Bushit, Artan Kadriut, Bekim Halilit, Zijadin Berishës dhe Jeton Hajdinit.

Hadi Nura, Besim Shabani, Betim Ibrahimaj, Adil Bushi, Egzon Latifi, Jetmir Bushi, Artan Kadriu, Bekim Halili, Zijadin Berisha dhe Jeton Hajdini nga prokuroria akuzohen për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, ndërsa Kujtim Bytyqi është i akuzuar për armëmbajtje pa leje.

Edhe Bekim Halili e Zijadin Berisha, përpos për pjesëmarrje në grupe terroriste ngarkohen edhe për armëmbajtje pa leje.

Në seancat e kaluara, Artan Kadriu, Zijadin Berisha, Betim Ibrahimaj dhe Adil Bushi kanë pranuar fajësinë për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

Ndërsa Kujtim Bytyqi kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje, pjesërisht e kishin pranuar fajësinë në seancat e kaluara edhe Bekim Halili dhe Zijadin Berisha vetëm për armëmbajtje pa leje.

Ndaj të akuzuarve Hadi Nura e Zijadin Berishës  gjatë seancave të kaluara është veçuar procedura ndërsa për Betim Ibrahimaj policia ka lajmëruar se sipas familjes së tij ai është vrarë në luftë në Siri.

Kallxo.com e ka përcjellë vazhdimësi këtë proces gjyqësor.

Raportet nga ky rast mund t’i gjeni në këtë link.