Arben Livoreka në Gjykatë | Foto: KALLXO.com

Dënim për Terrorizëm në Rastin Harausham

Arben Livoreka është dënuar sot nga Gjykata Themelore në Prishtinë me dy vjet burg me kusht.

Livoreka nuk duhet të kryejë vepër tjetër penale gjatë dy vjetëve të ardhshëm, nëse nuk dëshiron që dënimin prej dy vjetësh ta vuajë prapa grilave.

Bashkë me Livorekën akuzohej edhe Nexhat Behluli, por në seancën e kaluar prokurori Elez Blakaj hoqi dorë nga ndjekja penale e tij.

Livoreka akuzohej se ka marrë pjesë në luftën e Sirisë përkrah organizatave terroriste.

KALLXO.com kishte raportuar se organizata terroriste për të cilën prokuroria pretendonte se quhet “Harausham”, në fakt nuk ekzistonte.

Duke u interesuar lidhur me ekzistencën e kësaj organizate KALLXO.com dërgoi pyetje në disa institucione relevante për të ditur më shumë për organizatën “Harausham”, por u përball me heshtjen e këtyre institucioneve.

Në seancën e mbajtur në Gjykatën Themelore të Prishtinës, më 13 korrik të këtij viti, prokurori i ri i kësaj çështjeje, Elez Blakaj, precizoi aktakuzën.

“Në çdo vend në aktakuzë ku është e shkruar “Harausham”, kërkojmë që të përmirësohet në ‘Ahrahal Sham’”, kishte precizuar Blakaj.

Blakaj e arsyetoi këtë propozim me faktin se emri “Harausham”, është përkthyer nga anglishtja nga lista e organizatave terroriste.

Livoreka, kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar me 3 vjet e 6 muaj burg, por më pas çështja ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.