Gjykata Themelore në Pejë - Foto: KALLXO.com

Dënim për Pjesëmarrje në Rrahjen që Rezultoi me Vrasje

Isuf Abazaj është dënuar nga Gjykata në Pejë për pjesëmarrje në rrahjen gjatë së cilës pati të shtëna që shkaktuan vrasjen e Ibrahim Nezirajt.

Abazaj u dënua me dy vjet burg.

“Gjykata konform dispozitave ligjore gjykon me dënim burgu në kohëzgjatje prej dy viteve duke llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim që nga data 22/02/2017 e tutje në vazhdim deri në përfundim të dënimit të përcaktuar pas plotfuqishmërisë se këtij aktgjykimi. Të akuzuarit Isuf Abazajt i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi për shkak të rrezikut të ikjes nga se i njëjtit është shtetas suedez”, shpalli aktgjykimin trupi gjykues.

Për vrasjen e  Nezirajt akuzohej Hamza Abazaj, djali i Isuf Abazajt, por ai vdiq gjatë kohës sa po mbahej në paraburgim dhe ndaj tij pushoi procedura penale.

Sipas prokurorisë, i pandehuri Hamza Abazaj akuzohej për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, përderisa Isuf Abazaj ngarkohej për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe pjesëmarrje në rrahje.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Hamza Abazaj më 24 shkurt 2017 rreth orës 12:00 në Pejë me dashje privoi nga jeta të ndjerin Ibrahim Neziraj dhe vuri në rrezik jetën e të dëmtuarit Bleard Neziraj.

Prokurorja Sahide Gashi gjatë fjalës përfundimtare ishte tërhequr nga akuza ndaj Isuf Abazajt për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë, por kërkoi dënim maksimal për veprën pjesëmarrje në rrahje.

Gëzim Kollçaku, avokati i Isuf Abazajt, tërheqjen e prokurores nga njëra prej akuzave e vlerësoi të drejtë, ndërsa kërkoi lirimin e të mbrojturit të tij nga akuza dhe nga paraburgimi.

KALLXO.com e ka ndjekur vazhdimisht këtë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/vrasja-ne-peje-refuzohet-kerkesa-per-hedhjen-e-aktakuzes/