Gjykimi i rojeve të pyllit për ryshfet - Prizren - 04.02.2019 - KALLXO

Dënim i rëndë për rojtarët e pyllit që morën 100 euro ryshfet

Gjykata Themelore në Prizren i ka dënuar dy rojet e pyllit të cilët akuzoheshin për marrje ryshfeti në vlerë prej 100 euro.

Avdi Trolli e Nuhi Bajraktari akuzoheshin nga Prokuroria Themelore në Prizren për marrje ryshfeti për të mos vepruar në pajtim me detyrat e tyre.

Në seancën e sotme, trupi gjykues i përbërë nga kryetari Skender Çoçaj dhe anëtarët Bashkim Beshi e Xhemil Elshani, shpallën vendimin  pas këshillimit dhe analizimit të lëndës.

Të akuzuarve iu shqiptua dënim me gjobë në shumën prej 500 euro, dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh.

Në shumë raste, gjykatat në Kosovë kanë dhënë dënime me kusht në rastet kur shuma e keqpërdorimeve ka prekur shifra deri në miliona.

Gjykata gjithashtu obligoi të akuzuarit që t’ia kompensojnë dëmtuarit Fehmi Qatani shumën prej 100 euro.

Në këtë seancë të pranishëm ishin edhe dy të akuzuarit Trolli e Bajraktari, të cilët pas shpalljes nuk reaguan por të qetë u larguan nga salla.

Në fjalën përfundimtare, Prokuroria Themelore në Prizren, kishte kërkuar që dy rojet e pyllit të akuzuar për marrje të ryshfetit, Avdi Trolli dhe Nuhi Bajraktari, të shpallen fajtorë dhe të dënohen.

https://kallxo.com/prokurori-kerkon-denimin-e-rojeve-te-pyllit-te-akuzuar-per-100-euro-ryshfet/

I akuzuari Trolli pretendonte se rasti ka qenë “i përgatitur” nga i dëmtuari.

“Mua më ka paraqitur dëshmitari  Xhafer Shukolli, sepse i njëjti ka shumë fletëparaqitje, ai ka tentuar që në çdo mënyrë të më dëmtojë, sepse 13 fletëparaqitje i ka prej meje, e Fehmia nuk e di pse më ka paraqitur, por kjo ka qenë e përgatitur nga Xhafer Shukolli”, kishte thënë Trolli.

https://kallxo.com/gjykimi-i-rojeve-te-pyllit-per-100-euro-ryshfet/

Prokuroria Themelore në Prizren më 28 shtator 2018 ka ngritur aktakuzë ndaj Avdi Trollit dhe Nuhi Bajraktarit, me pretendimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “marrje e ryshfetit”.

Sipas aktakuzës, më 29 tetor 2014, në afërsi të restorantit “Giri” në Qafë të Duhlës, të akuzuarit në cilësinë e rojeve të pyllit në Drejtorinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Suharekës, në mënyrë të drejtë për drejtë kanë kërkuar para për vete, me qëllim të mos veprojnë në pajtim me detyrat e tyre zyrtare, raporton KALLXO.com.

Në aktakuzë thuhet se deri sa i akuzuari Trolli ishte në detyrë të rojtarit në Njësinë Ekonomike në Carralevë, Fehmi Qatanin e ka hasur duke prerë dru me motor-sharrë, dhe ka kërkuar nga ai që të shkojë në restorantin “Giri” në Qafë të Duhlës, pasi që ka nevojë të konsultohet me kolegë të tjerë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se përballë restorantit i akuzuari Bajraktari i ishte afruar Qatanit duke i thënë nëse ka para për t`i dhënë, nuk do t’i shkruajnë procesverbal, por do t’ia falin.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i dëmtuari Qatani ia kishte dhënë 45 euro të akuzuarit Bajraktari, i cili fillimisht i kishte marrë këto para dhe kishte shkuar për konsultim me të akuzuarin Trolli, i cili ishte në automjet.

Sipas prokurorisë, Trolli e kishte hapur dritaren e automjetit dhe nga aty i kishte gjuajtur paratë duke kërkuar nga i dëmtuari 100 euro për mos paraqitje të rastit në Gjykatë.

https://kallxo.com/prokurori-kerkon-denimin-e-rojeve-te-pyllit-te-akuzuar-per-100-euro-ryshfet/