Gjykimi për fajde | Foto: KALLXO.com

I Dëmtuari Thotë se ia Fal Çdo Send të Akuzuarit për Fajde

Bekim Peqani dha dëshminë e tij në gjykimin e Arsim Limanit, të akuzuarit për fajde si dhe organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Dëshmitari Bekim Peqani u pyet nga prokurorja Javorka Prlinçeviq se me Arsim Limanin a kishte pasur ndonjë biznes.

” Biznes nuk kemi pasur, nuk kemi punuar bashkë, kontakt kemi pasur, por jo të punojmë bashkë diçka. Puna jonë e vetme ka qenë që unë i kam marrë pare”, tha Peqani.

Prokurorja më tutje e pyeti dëshmitarin se si kishte ardhur në situatë për të marrë para nga Limani.

Dëshmitari Peqani u përgjigj se në rastet kur i kishte marrë 1 mijë euro nga Arsimi është dashur të ia kthente 1 mijë e 100 euro.

E kur u pyet nga prokurorja e rastit se pse për 1 mijë euro është dashur të ia kthente 1 mijë e 100 euro, dëshmitari nuk e sqaroi si duhet  situatën.

“Më janë dashur ato para, qashtu e ka pas punën Arsimi, nuk më ka thënë askush që ai e ka atë punë ashtu, por ne ashtu jemi marrë vesh, unë me Arsimin”, trego dëshmitari.

Peqani pastaj tregoi se nëse e vononte kthimin e borxhit, çdo muaj duhej të jepte nga 100 euro

“Nëse nuk e kthej borxhin brenda muajit atëherë është dashur për çdo muaj të ia jap nga 100 euro për muaj, e çmimi mbetej siç ka qenë në fillim 1 mijë e 100 euro”, deklaroi dëshmitari Bekim Peqani.

Dëshmitari më tutje tha se edhe pse ndonjëherë nuk kishte para për t’ia kthyer të akuzuarit Arsim Limani, asnjëherë nuk kishte presion prej tij

Dëshmitari tha se prej dhjetorit të vitit 2015 ende e ka një borxh prej 13 mijë deri 14 mijë euro ndaj Arsim Limanit.

“Nuk kam pasur mundësi të ia jap për shkak se kam pasur edhe borxhe të tjera, nuk ia kam paguar këtë borxh prej gushtit 2015, për këtë borxhin 13-14 mijë euro unë kam qenë në Vojvodinë e kur jam kthyer kam biseduar me Arsimin e ai më ka thënë që diku rreth 25 mijë euro ia kam borxh”, deklaroi dëshmitari Bekim Peqani.

Dëshmitari tha se nëse nuk është paguar interesi, i është rritur borxhi në atë aspekt tha se ka thënë edhe në deklaratën e tij të dhënë në prokurori.

Ai tha se për një borxh prej 25 mijë eurove të cilin ia kishte Arsim Limanit, atij i kishte dhënë disa vetura në vend të parave, me ç’rast theksoi se veturat kishin pasur vlerë më të lartë në para, por ai kishte shkuar me Arsimin në auto-sallone dhe kishin pyetur për shumën që ata ofronin për këto vetura dhe në bazë të asaj shume ia kishte vlerësuar ato vetura edhe Arsim Limani.

Megjithatë Bekim Peqani deklaroi se nuk e ndjen veten të dëmtuar.

“Çdo send e kam bërë me qejf dhe nuk ndjehem i dëmtuar andaj ia fal çdo send, nuk dua të kem probleme më vonë. Edhe nesër po të dalë Arsimi nga burgu dua me qenë sendet zero-zero sepse dua me qenë mik me Arsimin nëse ai pranon, nuk po dua të kem probleme më shkurt”, tha gjatë deklaratës së tij dëshmitari Peqani.

Pasi që dëshmitari tha se nuk dëshiron të ketë probleme më vonë, kryetarja e trupit gjykues Suzana Çerkini e pyeti se çfarë po mendonte me atë se nuk dëshiron të ketë probleme.

“Unë kam dëgjuar raste të tilla dhe nuk jam vetëm unë që kam folur për Arsimin, prandaj unë nuk po dua të kem probleme me të, ato sende që kanë shkuar nuk kthehen më, unë nuk po dua të kem probleme as asgjë me Arsimin më”, tha dëshmitari Peqani .

Avokati Naim Peqani e pyeti të mbrojturin e tij Bekim Peqani se a e dinte që vëllezërit e tij kishin lidhur kontratë me Arsim Limanin për t’ia shitur shtëpinë me qëllim që të paguajnë borxhet.

Bekim Peqani tha se u ka thënë vëllezërve të tij që t’ia shesin shtëpinë për shlyerje të borxheve, por jo që atë ta shesin më lirë se 120 mijë eurove.

Peqani më tutje deklaroi se Arsim Limani i kishte shkuar në shtëpi dhe i kishte thënë se asnjëherë nuk do t’ia merrte atë dhe nuk do t’ia nxirrte fëmijët në rrugë.

Duke iu përgjigjur pyetjes së Ramiz Krasniqt, avokatit të Arsim Limanit se a kishte presion nga i mbrojturi i tij dhe a kishte ikur në Vojvodinë nga ky presion, dëshmitari mohoi presionin, duke thënë se më shumë kishte presion nga vëllezërit e tij.

Arsim Limani po akuzohet se që nga viti 2009 në vazhdimësi me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ose personin tjetër ka organizuar dhe marrë pjesë apo ndihmuar në organizimin e bixhozit, lojërave të llojit të kazinove apo lojërave të fatit për të cilat nuk i është dhënë licenca.

I akuzuari në lokalin e tij në Fushë-Kosovë ka vendosur pa pasur licencë tri aparate, ndërsa dy të tjera i ka vendosur në shtëpinë e tij po ashtu në Fushë-Kosovë.

Sipas aktakuzës, këto aparate kanë qenë shkak që shumë persona janë detyruar që nga i akuzuari të marrin vazhdimisht para me fajde më qëllim për të luajtur lojëra të fatit, e ku edhe kanë humbur shuma të caktuara të parave, ndërsa i pandehuri ka fituar shuma të mëdha të parave në mënyrë të kundërligjshme.

Në shtator të vitit të kaluar, gjatë bastisjes në lokalin e tij nga policia atij i janë gjetur 1,002 euro të cilat i janë konfiskuar sikurse edhe aparatet e palicencuara.

Me këtë ka kryer veprën penale organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, thuhet në aktakuzë.

Limani gjithashtu akuzohet se që nga fillimi i vitit 2015 e deri në shtator të vitit të kaluar ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë të personave të tjerë në mënyrë që të dëmtuarve Bekim Peqani,  Ergin Alija, Mendim Puqolli, Naim Peqani, Lulzim Peqani, Arben Emini, Arben Xhibergjiu dhe Agron Hajdini u ka dhënë shuma të caktuara të të hollave me fajde duke përfituar nga ta shuma të mëdha dhe joproporcionale të të hollave apo patundshmëri.

Në aktakuzë thuhet po ashtu se me rastin e bastisjes së shtëpisë së të akuzuarit Limani, policia ka gjetur 2,500 euro, para këto të cilat është vërtetuar se janë përfituar në mënyrë të paligjshme. “Krahas kësaj policia ka konfiskuar edhe dy vetura dhe po ashtu ka gjetur letërnjoftime dhe pasaporta të personave të ndryshëm të cilëve mendohet se dokumentet u janë ndalur nga i akuzuari për shkak të borxheve-fajdeve që kanë pasur ndaj tij, e që ai ua ka ndalur me qëllim të mbajtjes peng deri sa të dëmtuarit të paguajnë fajdenë. Më këtë Arsim Limani akuzohet të këtë kryer edhe veprën penale fajde”, thuhet gjithashtu në aktakuzë.

Seanca e radhës do të mbahet me 5 qershor ku pritet të dëgjohen edhe dëshmitarë të tjerë.

http://kallxo.com/ne-gjyqin-per-fajde-deshmitaret-nuk-ndihen-te-demtuar/

http://kallxo.com/shtyhet-gjykimi-per-bixhoz-e-fajde-per-shkak-te-trupit-gjykues/