Komuna e Novobërdës | Foto: KALLXO.com

Dëmtohen Xhamia dhe Shkolla në Llabjan

Sot pasdite një person ka arritur të dëmtojë xhaminë, ndërsa sipas policisë i njëjti ka thyer edhe xhamat  e shkollës dhe tri shtëpive në fshatin Llabjan të Kamenicës.

Lajmin në lidhje me këto demolime e konfirmoi për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë Rajonale në Gjilan Ismet Hashani.

“Pas orës 15:00 policia ka marrë informacion për një incident dëmtim prone në fshatin Llabjan Komuna e Novobërdës. Policia i është lajmëruar me urgjencë informacionit dhe me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka mësuar se është dëmtuar xhamia. Në brendi të xhamisë dhe jashtë saj janë vërejtur disa demolime”, thotë Ismet Hashani.

Ai tregoi se i njëjti person dyshohet se theu edhe xhamat  e shkollës dhe tri shtëpive.

“Po ashtu dyshohet edhe se personi i cili ka dëmtuar xhaminë ka thyer xhamat e së paku 3 shtëpive dhe një shkolle në Llabjan”, shpjegon Hashani.

Ai njofton se i dyshuari për këto thyrje e demolime është arrestuar, ndërsa po i nënshtrohet aktualisht intervistimit.

Policia e Kosovës brenda një kohe të shkurtër ka arritur që të arrestojë një person si i dyshuar për rastin. I arrestuari për momentin është duke u intervistuar”, tha zëdhënësi Hashani.

Edhe në gusht të vitit të kaluar një person kishte dëmtuar minaren e xhamisë në fshatin Velekincë të Gjilanit.

http://kallxo.com/del-para-gjykates-demtuesi-minares/