Rrënimi i shtëpisë së familjes Myftiu në zonën e mbrojtur historike në Prizren – Foto: “Ec Ma Ndryshe”

Dëmtimi i Trashëgimisë Kulturore në Prizren Rezulton me Aktakuzë

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj një personi pasi dyshohet se pavarësisht njoftimeve për ndalim hyrje, ka rrënuar një pjesë të shtëpisë së familjes Myftiu në Prizren, një objekt nën mbrojtje të trashëgimisë kulturore.

I pandehuri me inicialet A.M. akuzohet për dëmtim, shkatërrim dhe nxjerrje të paautorizuar të monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës.

Sipas një komunikate të prokurorisë, i pandehuri ka dëmtuar shtëpinë e familjes Myftiu në Prizren e cila është në mbrojtje të trashëgimisë kulturore.

“I pandehuri A.M., më 18 dhjetor 2017, në Qendrën Historike të Prizrenit, në rrugën ‘’Mbreti Zog’’, dëmton ose shkatërron monumentin ose objektin e mbrojtur kulturor, në atë mënyrë që rrënon shtëpinë e familjes ‘’Myftiu’’, shtëpi kjo e cila ishte nën mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, në bazë të Vendimit numër 4274/2017 të datës 10.10.2017 nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me të cilin vendim hynë në listën e trashëgimisë kulturore për periudhën 10.10.2017 deri më 10.10.2018, me numër unik 507, e përfshirë me numër rendor 824, ku edhe përkundër ndalim-punimit nga Inspektorati Komunal, të pandehurit kanë kaluar shiritin ‘’Ndalohen Punimet’’, duke i futur punëtorët dhe makineritë (ekskavator dhe kamion), me ç’ rast ka rrënuar në tërësi objektin në fjalë, pasi që e njëjta i ishte shitur personit F.G”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.

Kallëzimi penal për këtë rast ishte ngritur nga Policia e Kosovës në janar të këtij viti.

http://kallxo.com/kallezim-penal-per-rrenim-te-objektit-te-mbrojtur/