Ish-ministri i FSK-së, Haki Demolli - Foto: Facebook

Demolli: Lista Serbe po u Shmanget Takimeve me Ne

Gjatë fjalës së tij në Kuvend ku po diskutohet rreth Forcave të Sigurisë së Kosovës, ministri Haki Demolli tha se deputetëve të Listës Serbe u kanë shkuar shumë ftesa nga kabineti i tij për të diskutuar rreth ndryshimeve kushtetuese që mundësojnë transformimin e FSK-së në forca të armatosura.

Sipas Demollit, këta deputetë në fillim kanë kushtëzuar votën e tyre e më pas nuk u janë përgjigjur ftesave.

“Në takimet me ministrat nga radhët serbe, ata votën e Listës Serbe e kanë kushtëzuar, e me pas iu kanë shmangur takimeve me ne,” tha Demolli.

Ministri më tutje bëri të ditur se kabineti i tij në periudhën prill-korrik 2016 drejt deputetëve të Listës Serbe ka dërguar 18 ftesa për diskutime rreth amendamenteve kushtetuese për transformimin e FSK-së në ushtri.

Demolli falënderoi deputetët joserbë dhe ata shqiptarë të Kuvendit për gatishmërinë e votimit të amendamenteve kushtetuese.

Për votimin e këtyre amendamenteve që ndryshojnë kushtetutën për t’i dhënë FSK-së kompetenca të forcave të armatosura duhen votat e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit dhe dy të tretave të deputetëve të komuniteteve joshumicë.

Demolli tha para deputetëve se FSK-ja ka ndërmarrë të gjitha veprimet për transformim.

Debati për FSK-në në Kuvendin e Kosovës u kërkua nga Daut Haradinaj me përkrahjen e 10 deputetëve të tjerë.

http://kallxo.com/haradinaj-deri-1-mars-te-sillet-ne-kuvend-projektligji-per-fsk-ne/