Dëmtimi i klasave nga shiu në FSHMN

Dëmet nga shiu, FShMN pezullon pranimin e aplikacioneve të studentëve të rinj

Si pasojë e reshjeve të shiut, objekti i Fakultetit të Shkencave Matematike – Natyrore dhe i Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” ka pësuar dëmtime.

Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka njoftuar se gjatë ditës së sotme ka vizituar disa herë këto objekte për të parë nga afër gjendjen.

“Menaxhmenti ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për sanimin e dëmeve të krijuara, si dhe parandalimin e dëmeve të mëtutjeshme. Për me tepër, Rektorati ka përgatitur shkresën për të kërkuar nga organet hetimore zbardhjen e shkaktarëve real të këtij demi”, thuhet në njoftimin e Universitetit.

Po ashtu ata kanë thënë se gjatë ditës kanë realizuar takime me drejtues të kompanisë punëkryese për renovimin e kulmit, “Ylli Brothers Group”, nga të cilët kanë kërkuar angazhim maksimal për tejkalimin e menjëhershëm të situatës.

“Njëherësh, është kërkuar nga punëtorët e kompanisë punëkryese dhe kompanisë së pastrimit, që të angazhohen me kapacitete të shtuara për mbajtje në kontroll të gjendjes së objektit”, vazhdon njoftimi.

Në anën tjetër, me anë të kësaj komunikate, njoftoheni se për shkak të shkyçjes së energjisë elektrike, procesi i pranimit të aplikacioneve për studentë të rinj në FShMN momentalisht është pezulluar.

“Mirëpo, është duke u punuar që së shpejti të identifikohen mundësitë se si mund të rifillojë procesi, duke garantuar që kandidatët të mos dëmtohen. Madje, në rast që paraqitet nevoja, do të zgjatet edhe afati për aplikim të kandidatëve, për çka do të njoftoheni me kohë”, thuhet në njoftim.

Menaxhmenti i UP-së është zotuar se do të ketë përkushtim maksimal për identifikimin e shkaktarëve të këtij dëmi.

“Po ashtu që kandidatët për studentë, studentët dhe stafi të mos dëmtohet, si dhe premton bashkëpunim me të gjitha organet kompetente për të tejkaluar situatën e krijuar”, përfundon njoftimi.

https://kallxo.com/foto-deme-te-medha-nga-shiu-ne-fakultetin-e-shkencave-dhe-te-filologjise/

.