Demë Tolaj: Vrasja e Sabahates Nuk Është Zbardhur Krejtësisht

Në përvjetorin e 13 të vrasjes së pjesëtares së Policisë së Kosovës, Sabahate Tolaj, për herë të parë ka folur për media babai i saj, Demë Tolaj.

Në një bisedë për KALLXO.com, Demë Tolaj tha se mendon se në vrasjen e vajzës së tij dhe të kolegut të saj, Isuf Haklaj, përveç një personi që është dënuar me burg ka edhe të tjerë të involvuar.

“Gjykimi ka fillu, nifarë gjykimi, u dënu ni djalë, Bedri Krasniqi i Turjakës, po aty ka pasë edhe të tjerë, nuk u konë sall ai i vetëm. E ai nuk i ka zbulue ata hiç, nuk i ka tregue kush jonë konë”, thotë Tolaj

Vrasjen e së bijës dhe të kolegut të saj, Demë Tolaj e ndërlidh me hetimet që po i zhvillonin rreth tri rasteve të vrasjeve që kanë ndodhur pas përfundimit të luftës. Sipas tij, ata ishin shumë afër që të zbulonin autorët.

“Për zbulimin e vrasjeve të përparshme, vrasjes së Tahir Zemës, Smajl Hajdarit edhe Hajdar Ahmetit. Për kurrnifarë arsye tjetër nuk oshtë vra, vetëm për zbardhjen e qetyne vrasjeve të mëparshme”, thotë ai për KALLXO.com

Demë Tolaj thotë se janë shuar shpresat për zbardhjen e rastit në tërësi. Për shkak se, sipas tij, shteti nuk është i interesuar për një gjë te tillë.

“Na kemi kërkuar te prokurorët, nëpër polici e nëpër çdo organ, po ta maroj – ta maroj edhe erdh fundi. Qaty filloi qaj gjykim po nuk është zbardh deri në fund, pak o fillue edhe o metë qaty… Ky rast qysh po shihet qeta çka i ka vra shteti, këta nuk i zbardhin se jonë vet ne to e s’ka kush mi zbardh,”shprehet ai.

Demë Tolaj flet edhe për sakrificën e së bijës së tij, e cila ka qenë pjesëtare e UÇK-së në Brigadën 138 “Agim Ramadani”.

“Tre muaj ka nejtë në Koshare në borë deri n’shokë, për qet tokë të Kosovës, për qet popull të Kosovës. E masi u shlirum dulen e vranë në hyrje të Pejës”, përfundon Tolaj rrëfimin e tij.

Për vrasjen e dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, Sabahate Tolajt e Isuf Haklajt, me 27 vjet burgim është dënuar Bedri Krasniqi.

Atentati ndaj tyre është kryer më 24 nëntor të vitit 2003.

Sabahate Tolaj kishte ndërruar jetë të nesërmen, ndërsa Isuf Haklaj katër ditë me vonë.