Demarkacioni me Malin e Zi Përplas Ramush Haradinaj dhe Murat Mehën

Mbledhja e sotme e Komisionit për Punë të Jashtme nuk ka shkuar edhe aq mirë. Kryetari i Komisionit Shtetëror për Demarkacion me Malin e Zi, Murat Meha, gjatë raportimit për punën e tyre para komisionit ka pasur telashe ta përfundojë fjalimin e tij, për shkak se Ramush Haradinaj – kryetar i AAK-së dhe anëtar i këtij komisioni, nuk është pajtuar me të thënat e Mehës.

“Je t’u na rrejt bre vëlla, nuk e di a ju paguan Mali i Zi a dreqi…lej këto përralla”, i tha Haradinaj kryetarit të Komisionit për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi, Murat Meha.

“A keni dërguar ju ndonjë variant tuajin, a e dini ku ka qenë kufiri. Nuk po ju vjen marre të vini e të shitni këso përrallash Murat Meha e as ju tjerëve. Z. Kryetar krejt korrupsioni politik, moral, njerëzor patriotik këtu shihet edhe po vjen e po na shet përralla që një orë, nuk po ju vjen marre, katastrofë”, vazhdoi më tej Haradinaj ta shprehte pakënaqësinë ndaj Mehës.

Pas këtyre fjalëve, në shenjë pakënaqësie, Haradinaj ka përplasur për tavoline një hartë që kishte pranë vetes.

“Çojeni te shpija këtë hartë”, është shprehur i revoltuar kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj duke bojkotuar mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme.

Për krejt këtë që ndodhi, vetë Murat Meha thotë të mos ketë pasur asnjë përplasje me askënd.

“Nuk ka pasur kurrfarë konflikti, ai e ka lëshuar mbledhjen. Ne si komision i kemi ofruar faktet tona dhe asnjë përplasje me askënd nuk e kemi pasur. Kemi quar fakte të argumentuara. Ai (Ramush Haradinaj) e ka përplasur hartën në tavolinën e vet dhe ka dalë jashtë. Nuk e di çfarë harte ka pasur”, tha Meha.

Ai tregoi se Komisioni Shtetëror për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi  të hënën në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme kanë diskutuar për këtë gjë.

“Komisioni për Punë të Jashtme ka ftuar komisionin për shënjimin dhe mirëmbajtjen e vijës kufitare për të bërë raportimin. Ne kemi bërë një raportim shumë të argumentuar dhe tash e kemi përfunduar”, shtoi Meha.