Demarkacioni Kusht për Heqjen e Vizave

Njëri nga kushtet është edhe ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Komisioneri për Çështje të Brendshme i BE-së, Dimitris Avramopulos i përmendi dje këto tetë kritere që Kosovës sipas tij i kanë mbetur pa plotësuar.

“Jam i kënaqur me progresin që Kosova ka bërë që nga viti 2014 në përmbushjen e kritereve, prandaj jam i bindur se Kosova do të jetë në gjendje që shpejt t’i përmbushë të gjitha kërkesat e mbetura në mënyrë që Komisioni të mund të propozojë heqjen e vizave në fillim të vitit 2016,” tha Avramapoulos në konferencën për shtyp në Bruksel.

Kriteret që duhet plotësuar i zbulon kur flet për KALLXO.com, zëvendësministri i Integrimit Ramadan Ilazi.

Sipas tij tetë kriteret e fundit që kërkohen nga BE-ja për lëvizje të lirë janë:

  1. Bartja e një numri të gjyqtarëve te pozitat e duhura në Departamentin e Krimeve të Rënda
  2. Zhvillimi i një historie të vendimeve gjyqësore për krimet e rënda, krimin e organizuar dhe korrupsionin
  3. Anëtarët jopartiakë në Organin Shqyrtues të prokurimit
  4. Kosova të demonstrojë se i ka zbatuar aktet nënligjore në emrat personalë
  5. Ratifikimi i Marrëveshjes me Malin e Zi
  6. Fondi i riintegrimit dhe migruesve që kanë shkuar në BE dhe që tashmë janë kthyer në Kososvë
  7. Monitorimi i statusit të ulët të kërkesave të azilit
  8. Të sigurohen hapësirat dhe pavarësia e plotë e Avokatit të Popullit

Ministri i Integrimit Bekim Çollaku mirëpriti raportin për përmbushjen e kërkesave të Udhërrëfyesit për Liberalizim të Vizave.

Në rrjetin social Facebook, Çollaku sqaron çka është kyçe e çka vetëm për monitorim.

“Ky raport përshkruan në detaje vlerësimin e Komisionit Evropian se pothuaj të gjitha kushtet e udhërrëfyesit janë përmbushur plotësisht, ndërsa një pjesë e vogël e rekomandimeve përshkruhen si pjesërisht të përmbushura. Katër rekomandime nga këto fusha cilësohen të rëndësisë kyçe, ndërsa pjesa tjetër janë vetëm për monitorim,” shpjegon Çollaku.

Ai tregon çka ka pë-rmbushur Kosova nga ato që BE-ja i konsideron kritere të papërmbushura.

“Institucionet kanë zbatuar plotësisht: (1) rritjen e numrit të gjyqtarëve në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore të Prishtinës; (2) emërimin dhe mandatimin e Prokurorit Special si koordinator për hetimin e rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit; (3) ka propozuar anëtarët e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik; ka siguruar miratimin e ligjit të ri të prokurimit publik, si dhe ka bërë përgatitjet e nevojshme për zbatimin e e-prokurimit nga janari 2016 dhe; (4) është ndryshuar dhe ka hyrë në fuqi baza ligjore në lidhje me përforcimin e kritereve të procedurës së ndryshimit të emrit personal”, ka shkruar Çollaku.