Ceremonia e ndarjes së certifikatave për 47 praktikantët e sektorit të energjisë, Foto: Kallxo.com

Delawie- Studentëve: Jam Optimist për të Ardhmen e Kosovës

Në Fakultetin Elektroteknik të Universitetit të Prishtinës janë ndarë certifikatat  për 47 studentë të cilët e kanë përfunduar praktikën profesionale për gjashtë muaj në sektorin energjetik.

Programi ‘Repaower’ i cili ka filluar që nga viti 2015, është mbështetur nga USAID, ndërsa u ka mundësuar studentëve të përfundojnë praktikën gjashtëmujore në KOSTT, KEK dhe ZRRE. 55 për qind e praktikantëve në programin ‘Repower’ kanë qenë vajza. Shumica e studentëve që e kanë zhvilluar punën praktike janë studentë të Universitetit të Prishtinës e disa të tjerë të Rochester Institute of Technology (RIT) në Kosovë.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie i cili ka qenë i pranishëm në ndarjen e certifikatave, ka thënë se zhvillimi i një gjenerate të re dhe të talentuar në fushën e energjisë është shumë e nevojshme.

“Kosovës i duhen më të mençurit për t’u trajnuar. Nuk ka zëvendësim për punën praktike, madje edhe edukimi më i mirë në botë nuk është i kompletuar pa praktikë. Sektori i energjisë në Kosovë ka bërë hapa drejt modernizimit, prandaj duhen studentë që kanë kryer praktikë”, ka theksuar Delawie.

Ambasadori amerikan është shprehur i kënaqur kur ka kuptuar që shumica e praktikantëve në tre raundet e para kanë qenë vajza.

“Ju përgëzoj për barazinë. Sapo e kemi përfunduar javën e festimeve të 10 vjetorit të pavarësisë dhe kur ju shoh juve jam shumë optimist për të ardhmen e mirë të Kosovës. Mezi po pres të shoh se çfarë do të arrini në të ardhmen”, tha ai.

Kurse rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema ka thënë se UP është në proces të transformimit dhe se ky transformim është duke ndodhur.

“Për mua asgjë nuk ka më tepër vlerë sesa studentët që përmes atyre që i kanë mësuar në UP t’i tregojnë në praktikë dhe të kenë mundësi t’i ballafaqojnë punët në praktikë. Programi ‘Repower’ përveç që ju ka shërbyer studentëve, u ka shërbyer edhe organizatave që po ballafaqohen me plakje të kuadrit”, ka potencuar Dema.

Sharon Hart, presidente e nga Rochester Institute of Technology (RIT) e cila ishte e pranishme në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave, është shprehur se kanë parë që studentët kur vendosen në praktikë ju ndihmon që të gjejnë vende të punës dhe kanë përparësi në gjetjen e vendit të punës.

“Një prej gjërave që duhet të bëjmë janë hapat që qeveria i ka përcaktuar, e hapi që mungon në atë plan është edukimi, rritja në fushën e energjisë kërkon investim në arsimin e lartë. Shpresoj që kjo do të jetë një çështje që të ulemi e të bisedojmë se cilat janë nevojat e tregut”, ka theksuar Hart.

Petrit Pepaj, drejtori menaxhues i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ku edhe disa nga studentët kanë kryer praktikën ka thënë që gjeneratat e ardhshme do të projektojnë e menaxhojnë projektet e tyre.

“I kuptojmë edhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen të sapodiplomuarit, ne ju kemi ndihmuar që t’i kalojnë këto sfida. Energjia dhe entuziazmi i juaj më bën entuziast që energjia e Kosovës do të jetë në duar të mira në të ardhmen”, përfundoi Pepaj.

Në fund njëra nga praktikantet e programit, Njomza Ibrahimi, e cila kishte përfunduar praktikën gjashtëmujore në KOSTT prezantoi para të pranishmëve punën praktike të cilën ajo e kishte zhvilluar dhe të gjithë procedurën e aplikimit dhe përzgjedhjes së saj për punë praktike.