FOTO- Gjykimi ndaj Kujtim Zararit në Gjakovë. Kallxo.com

Del para gjyqit ish-drejtori i QKMF-së në Gjakovë

Në Gjykatën Themelore të Gjakovës të hënën u mbajt shqyrtimi fillestar ndaj Kujtim Zararit, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar.

Zarari akuzohet se në qershor të vitit të kaluar ka tejkaluar kompetencat e tij kur ka larguar nga pozita drejtorin e administratës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë, Musa Gjergjajn. Zarari e kishte marrë këtë vendim në cilësinë e drejtorit të QKMF-së.

Aktakuza thotë se Zarari këtë vendim e ka marrë në kundërshtim me Ligjin për shërbyes civil të Kosovës.

Sipas aktakuzës, i vetmi organ që mund ta largojë nga puna shefin e administratës është kryetari i komunës.

Por Kujtim Zarari u deklarua i pafajshëm në akuzën për të cilën ngarkohet.

Prokurori Ali Uka tha se në bazë të provave siguruara dhe të propozuara në aktakuzë, “jemi të bindur se do të vërtetohet fajësia gjatë shqyrtimit gjyqësor”.

I dëmtuari Musa Gjergjaj, nuk ishte i pranishëm në sallë të gjykimit.

Mbrojtja e të akuzuarit ka afat që deri më 1 tetor t’i bëjë kundërshtimet ndaj aktakuzës.