Deklarohet i Pafajshëm Drejtori i Komunës së Prizrenit

Ilir Baldedaj, drejtori i Administratës Publike në Komunën e Prizrenit i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare u deklarua i pafajshëm.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Mehdi Sefa, drejtori Baldedaj tha “jo nuk ndihem fajtor”.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Baldedaj ngarkohet se nga gushti i vitit 2015 deri në dhjetor të vitit 2016 ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar duke keqpërdorur pasurinë publike për persona të tjerë juridikë- përkatësisht për tre televizionet lokale në Prizren.

Para se Baldedaj ta deklaronte pafajësinë, prokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren Mehdi Sefa e lexoi aktakuzën ndaj tij.

“Pa ndonjë procedurë të tenderimit ka lidhur kontrata për emetimin e spoteve reklamuese në lidhje me aplikimet online, ashtu që me televizionin ‘Opinion’ lidh kontratën në vlerë prej 300 eurove, me televizionin ‘Besa’ lidh kontratë në vlerë prej 250 erove dhe me televizionin ‘Prizreni’ lidh kontratë në shumë prej 500 eurove në muaj për nevojat e Komunës së Prizrenit…” tha mes tjerash prokurori Sefa.

Më tutje aktakuza e prokurorisë pretendon se pas ekspertizës financiare ka rezultuar se në bazë të kartelave të furnitorëve të tre televizioneve të lartpërmendura për shërbime të spoteve reklamuese lidhur me aplikimet online janë tejkaluar shumat e parashikuara me kontrata.

Shqyrtimin e dytë gjykata e ka caktuar me datën 22 dhjetor 2017

Ndryshe, Ilir Baldedaj nuk është drejtori i vetëm i Komunës së Prizrenit ndaj të cilit është ngritur aktakuzë.

Me aktakuza janë përballur edhe tetë drejtorë tjerë të kësaj komune dhe vetë kryetari Ramadan Muja

Kallxo.com kishte raportuar për ngritjen e aktakuzës ndaj Ilir Baldedajt.

Dënime me Kusht Për Mujën dhe të Tjerët (TV)