Gjykimi per narkotik

Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për 61 kilogram marihuanë

Në gjykatën e Mitrovicës të mërkurën u mbajt seanca e shqyrtimit fillestar në rastin e të akuzuarit Denis Isufi.

Denis Isufi shtetas i Shqipërisë akuzohet së bashku me të pandehurin tjetër Enea Ullini për substanca narkotike të dyshuara të llojit marihuanë.

Në mars të këtij viti rreth orës 02:00 në Skenderaj patrulla e policisë kanë vërejtur të dyshuarit duke lëvizur ku i kanë ndaluar.

Policia i kishte pyetur se përse ishin në atë kohë në rrugë ata ishin përgjigjur se kishin qenë duke e pritur një shok të cilin më pas kishin pasur plan ta dërgonin në Shqipëri.

Me pas policia duke e kontrolluar të pandehurënn Enea Ullini (për të cilin tashmë në gjykatë ka përfunduar procedura pasi dhe Enea Ullini është dënuar me tre vite burgim efektiv dhe pesë mijë euro gjobë, pas arritjes së marrëveshjes për pranim të fajësisë, në mes të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të akuzuarit Enea Ullini dhe mbrojtësit të tij, avokatit Mahmut Halimi) të njëjtit i kishte gjetur çelësin e veturës.

Kurse pas kontrollit të veturës në të ishin gjetur dhe konfiskuar tri çanta të mbushura me substanca narkotike të dyshuara  të llojit marihuanë e që sipas matjes kanë rezultuar me peshë rreth 61 kg e 610 gr, ku më pas të dyshuarit ishin arrestuar nga ana e policisë.

Me këtë akuzohen se kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge “, thuhet në akuzë.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit të rastit, Njazi Rexha, i akuzuari Isufi u shpreh se nuk ndihet fajtor për veprën penale me të cilën e ngarkon Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

Pasi që i akuzuari Denis Isufi nuk e pranoi fajësinë, gjykatësi i rastit Avni Mehmeti e njoftoi atë dhe mbrojtësin e tij avokatin Haxhi Millaku, se në afat prej 10 ditësh, kanë të drejtë të parashtrojnë kundërshtimin e provave që mbështesin akuzën.

Mehmeti gjithashtu ka njoftuar palët se shqyrtimit i dytë nuk do të mbahet ndërsa për kundërshtime nëse do të ketë do të vendosin jashtë seancës gjyqësore.

Po ashtu mbrojtësi i të pandehurit avokati Haxhi Millaku, nga Gjykata kërkoi që të akuzuarit Isufi t’i ndërpritet masa e paraburgimit dhe atij t’i caktohet një masë më e butë, duke propozuar në këtë rast masën e lajmërimit në Polici.

Ai ka shtuar se i akuzuari është i pajtimit të ofrojë dorëzani për një vlerë që Gjykata e përcakton si bindëse.

Mirëpo propozimet e mbrojtjes u kundërshtuan nga ana e prokurorit të rastit Njazi Rexha, për çfarë ai tha se të njëjtat janë të paqëndrueshme, bazuar në faktet ligjore për të cilat të akuzuarit Denis Isufi i është vazhduar paraburgimi.

Për këtë, gjykatësi Avni Mehmeti, deklaroi se lidhur me propozimet e mbrojtjes, do të vendos jashtë seancës gjyqësore me vendim të veçantë dhe se palët për këtë do të njoftohen me shkrim në kohë të arsyeshme.