Gjykimi për tentim vrasje - Foto: KALLXO.com

Deklarohen të pafajshëm 3 vëllezërit e akuzuar për tentim vrasjen e taksistit

Në Gjykatën e Mitrovicës është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar ndaj të akuzuarve Naim, Ramadan dhe Arton Hoti.

Të lartcekurit akuzohen nga Prokuroria e Mitrovicës se në maj të vitit 2016 kishin tentuar ta privonin nga jeta të dëmtuarin Xhavit Syla.

Sipas akuzës, pasi që Naim Hoti dhe Xhavit Syla punonin si taksist me furgon, në Drenas ata kishin pasur fjalosje për udhëtarë.

Më pas, Naim Hoti ishte kthyer në Skenderaj, ku takohet me vëllezërit e tij – tash të pandehurit Ramadan dhe Arton Hoti.

Derisa Artoni dhe Ramadani ishin pajisur me thika, Naim Hoti kishte marrë një mjet të fortë të paidentifikuar.

Kur kishte ardhur i dëmtuari Xhavit Syla me furgon, pasi që kishin zbritur udhëtarët, tre të pandehurit kishin hipur në furgonin e të dëmtuarit duke i thënë: “Ti s’mundesh me na ndalu me ardhë në Drenas”.

Derisa i dëmtuari Xhavit Syla iu kishte përgjigjur “as Policia s’po munden me ta ndalu se le ma unë”, dhe kishte dalë nga furgoni, por i akuzuari Ramadan Hoti kishte arritur ta godasë me mjet të fortë në kokë kurse dy të akuzuarit tjerë Naim e Arton Hoti e kishin goditur të dëmtuarin me thika pesë herë në trup.

Me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – vrasje në tentativë.

Por sipas akuzës kishin intervenuar policët Besim Miftari dhe Habib Behrami, kështu që vepra penale ka mbetur në tentativë.

Ndërsa me rastin e mbajtjes së seancës fillestare tre të akuzuarit Naim, Arton dhe Ramadan Hoti u deklaruan se nuk e ndjenin vetën fajtorë për veprën me të cilën ngarkoheshin nga Prokuroria.

Pas kësaj gjyqtari i rastit Burim Ademi njoftoi palët se shqyrtimi i dytë nuk do të mbahet, ndërsa kundërshtimet e tyre nëse do të ketë mund t’i paraqesin brenda afatit prej 30 ditëve.