FOTO DIBRAN HOXHA-FCB

Deklarata e Dibran Hoxhës në Gjykatë për incidentin në ‘Kobra City’

Pronarit të lokalit “Kobra City” në Prizren, Dibran Hoxha, që nga dita e djeshme i është caktuar masa e paraburgimit nga Gjykata Themelore në Prizren.

Hoxha po dyshohet se ka kryer veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë.

Në seancën për caktimin e paraburgimit në Gjykatën Themelore të Prizrenit, Dibran Hoxha, kishte deklaruar se ka qenë ai vetë që e ka lajmëruar Policinë për incidentin, se i ka treguar Policisë numrat që i ka telefonuar, se i ka dorëzuar gëzhojat, video kamerat…

Dibran Hoxha ka pretenduar se në këtë rast ai është i dëmtuari.

Mbrojtësi i tij, avokat Esat Gutaj, kishte kërkuar nga Gjykata që të njëjtit t’i caktohej ndonjë masë tjetër e jo paraburgimi.

Sipas avokatit Gutaj, i mbrojturi i tij është vetëm viktimë dhe dëshmitar okular, i cili mund të ndihmojë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

“Nuk është në interes të tij që të fshehë ose të ndryshojë gjurmët e kësaj ngjarje, dhe i njëjti do të jetë i përmbajtur e nuk do të kontaktojë me palën e dëmtuar e as me dëshmitarët e mundshëm”, kishte deklaruar avokati.

https://kallxo.com/prokuroria-shpjegon-konfliktin-e-fundit-ne-kobra-city-paraburgim-per-dibran-hoxhen/

Sipas Prokurorisë, bashkë me Dibran Hoxhën janë edhe dy të dyshuar të tjerë, Halil Ademaj dhe Jesmir Badallaj, të cilët po dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të lëndimit të rëndë trupor.

Mbrojtësi i të dyshuarit Halil Ademaj, avokati Naim Kurtishi para Gjykatës nuk e kishte kundërshtuar caktimin e paraburgimit ngase “jemi të interesuar që të zbardhet kjo çështje penale”.

“Nuk është kontestuese se Halil Ademaj është punëtor si sigurim në lokalin “Kobra City” dhe po, ditën kritike ai ka qenë në vendin e punës”, ka theksuar avokati.

Avokati Kurtishi në Gjykatë lidhur me veprimet e të mbrojturit të tij kishte deklaruar se “i njëjti ka sqaruar edhe në Polici se ka vërejtur se një i dyshuar ka nxjerrë pistoletën dhe me të njëjtën ka gjuajtur në tavan disa herë, dhe po ashtu i njëjti me atë pistoletë i është drejtuar edhe klientëve tjerë me fjalët: Do t’ju vras të tanve”, e pas kësaj Halil Ademaj sipas detyrës ka vepruar ashtu që ka ndërmarrë veprimet për t’i hequr nga dora armën, duke i thyer dorën ku e mbante revolen dhe duke e grushtuar me dorën tjetër.

Ndërsa mbrojtësi i të dyshuarit Jesmir Badallaj, avokati Gent Gjini, para Gjykatës kishte deklaruar se “fatmirësisht është marrë video-incizimi dhe i pandehuri Jesmir nuk ka qenë protagonist i sulmit, përkatësisht të lëndimeve që ka marrë i dëmtuari”.

Edhe i pandehuri Jesmit Badallaj kishte deklaruar se ai nuk kishte marrë pjesë në rastin e ndodhur në “Kobra City”.

Gjykata Themelore e Prizrenit nëpërmjet një njoftimi të lëshuar për media ka sqaruar faktin se edhe personi me iniciale B.P. më 6 mars rreth orës 00:30 pas mesnate, në lokalin “Kobra City” duke qenë nën ndikimin e alkoolit në shoqëri edhe me të dëmtuarin me iniciale E.P. nxjerr revolen nga brezi, shkrep me të njëjtën dy herë në drejtim të kulmit të restorantit dhe me një veprim të tillë shkakton rrezik të madh për jetën e njerëzve respektivisht të mysafirëve të cilët kanë qenë në lokal, andaj i pandehuri B.P. është vërtetuar se i njëjti mbanë në pronësi, kontroll armën – pistoletën në shkelje me Ligjin e zbatueshëm lidhur me armët e tilla.

Gjyqtari i procedurës paraprake pas vlerësimit të pohimeve të palëve dhe kërkesës së prokurorit të shtetit për caktimin e paraburgimit dhe nga shkresat e lëndës ka gjetur se caktimi i paraburgimit është i bazuar.

Andaj Gjykata ndaj të 3 të pandehurve ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.