“Degradimi” i policit që hetoi zëvendësministrin e Haradinajt, reagon Qeveria

Qeveria e Kosovës ka reaguar pas publikimit të shkrimit për degradimin në pozitë të hetuesit policor H.Sh, i cili ka hetuar rastin e zëvendësministrit të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal nga radhët e AAK-së, Musa Cena.

Në një përgjigje dhënë për KALLXO.com, këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Avni Arifi ka thënë se transferimi i hetuesit të policisë nuk ka asnjë ndikim politik.

“Asnjë lidhje politikat e brendshme kadrovike të Policisë së Kosovës në lidhje me këtë rast nuk e ka”, ka thënë Arifi.

Madje Arifi e ka quajtur të palogjikshme mendimin se dikush mund të ndikonte në këtë rast.

“Të mendohet se dikush nga Qeveria do të kërkonte apo ndikonte që dikush për shkak të këtij rasti të degradohet dikush është përtej çdo logjike të shëndoshë”, u shpreh Arifi.

Sipas Arifit, politika kadrovike e Policisë së Kosovës është krejt çështje e brendshme e drejtorit dhe strukturave udhëheqëse të saj e jo të Qeverisë së Kosovës.

KALLXO.com ka publikuar sot shkrimin për degradimin në pozitë të hetuesit policor H.Sh, i cili po hetonte rastin e zëvendësministrit të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal nga radhët e AAK-së, Musa Cena.

H.Sh. tani më nuk mban postin e hetuesit por të Mbikëqyrësit të Sektorit Policor në Stacionin Policor të Jugut në Prishtinë.

Ai ishte hetues në rastin e zëvendësministrit Cena, i cili ishte i dyshuar për ryshfet që nga tetori i vitit të kaluar dhe u dënua muajin e kaluar.

Transferimi i hetuesit H. SH në Stacionin  Policor të Jugut, sipas Policisë së Kosovës, është bërë bazuar në Udhëzimin Administrativ mbi marrëdhënien e punës në Policinë e Kosovës, për shkak të nevojave të shërbimit.

Kështu të paktën ka deklaruar në një përgjigje për KALLXO.com nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës.

Cena u arrestua më 20 tetor të vitit 2018 nën dyshimin për ryshfet mirëpo pas hetimit rezultoi me aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndërsa hetimet për ryshfet pushuan.

Cena u dënua me gjashtë muaj burg nga Gjykata Themelore në Prishtinë, por i njëjti është pajtuar që dënimi i tij të kthehet në dënim me gjobë në lartësi prej 5 mijë euro.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe hetuesin H.Sh. për ndërrimin e pozitës së tij. Ai e ka konfirmuar se i është ndërruar pozita por nuk ka dhënë detaje të tjera rreth këtij rasti.

Në lidhje me transferimin e hetuesit në një pozitë tjetër KALLXO.com ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga ana e prokurorit të rastit, Kujtim Munishi.

Ky i fundit ka qenë i pa qasshëm për dy ditë radhazi sa ka tentuar ta kontaktojë KALLXO.com.

Gjithashtu, është raportuar se muajt e fundit, rreth 10 hetues të Departamentit të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës janë larguar.