Pamje nga një mbledhje e KQZ-së - Foto: KALLXO.com

Decertifikohen Kandidatët për Zgjedhjet Lokale të Dënuar nga Gjykata

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim të decertifikojë të gjithë kandidatët që garojnë në zgjedhjet lokale të 22 tetorit që janë të dënuar me aktgjykim të formës së prerë në tre vitet e fundit nga gjykatat e Kosovës.

Për decertifikimin e këtyre kandidatëve ishin 8 anëtarë të KQZ-së, një abstenoi e një ishte kundër.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, njoftoi të gjithë kandidatët që decertifikohen se kanë të drejtë të parashtrojnë ankesë brenda 24 orëve në PZAP.

Po ashtu, KQZ u dha mundësi subjekteve politike që deri të premten (15 shtator) t’i zëvendësojnë kandidatët e decertifikuar.

Para votimit, anëtarët e KQZ-së dhanë mendimet e tyre rreth decertifikimit të mundshëm.

Eshref Vishi nga Nisma për Kosovën tha disa vepra nuk kanë pasoja juridike, sidomos dënimet me gjobë, prandaj e deklaroi votën e tij kundër. “E deklaroj votën time kundër që thjesht me një vendim të KGJK t’i merret dikujt një e drejtë kushtetuese. Ky paragraf i ligjit është jashtë standardeve”, tha ai.

Ndërsa, Betim Gjoshi nga PDK, tha se Ligji i përgjithëson dhe i fut në një thes të gjithë pavarësisht veprave që i kanë kryer. “Pajtohem plotësisht që ligji është i padrejtë, ky ligj ka jashtëzakonisht të meta por ne duhet ta respektojmë këtë ligj që e kemi”, tha ai.

Ai sugjeroi që t’u jepet mundësi subjekteve politike t’i zëvendësojnë kandidatët e larguar të paktën deri të premten.

E Adnan Rrustemi nga Vetëvendosje tha se është mirë që ta kemi një klasifikim të veprave të kryera nga kandidatët. “Megjithatë ligji duhet të respektohet dhe duhet të kemi lista të pastra”, shtoi ai.

Kurse, Sami Hamiti nga LDK tha se nga partia e tij janë nëntë kandidatë. Megjithatë, ai tha se do të jetë “për”.

Edhe OJQ-ja Demokracia në Veprim bëri thirrje sot që KQZ të decertifikojë kandidatët që kanë pasur probleme me ligj.

Ditë më parë, vendet i Quintit i kanë bërë thirrje KQZ-së që në pajtim me ligjin e Kosovës të diskualifikojë ata kandidatë për të cilët gjykatat kanë certifikuar dënimet përfundimtare në tri vitet e kaluara.