Deçanasit Akuzohen për Votim të Dyfishtë

Dy persona nga fshati Dranoc i Deçanit do të dalin para gjyqit nën dyshimet se kanë keqpërdorur të drejtën e votës në zgjedhjet e 11 qershorit.

Prokuroria Themelore e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj dy burrave me iniciale të njëjta, N.L se kanë votuar dy herë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 11 qershor.

Sipas aktakuzës të pandehurit me vetëdije kanë votuar për të dytën herë në të njëjtën qendër votimi.

Prokuroria pretendon se të akuzuarit kishin votuar herën e parë në prani të dëshmitarit S.H  ndërsa herën e dytë në praninë e dëshmitarit me inicialet Sh.L.

Prokurori i rastit me ngritjen e aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit t’i shpall fajtor dhe t’i dënoj sipas ligjit për veprën penale për të cilën akuzohen.