Arma e konfiskuar nga i dyshuari FOTO: Policia e Kosovës

Deçan, arrestohet si i dyshuar për kanosje me armë të gjatë

Një person është arrestuar pasi dyshohet se  ka kanosur me armë një burrë në Deçan.

Policia ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 10:20, derisa viktima së bashku me një person po kalonte rrugës me veturën e tij në rrugën ’Shani Hadergjonaj’ në Deçan dhe kishte vërejtur se aty po e priste një person i dyshuar, me veturë të ndaluar anash në rrugë.

Në njoftim thuhet se sipas viktimës, i dyshuari në dorë mbante armën e gjatë dhe më pas ka dalë para veturës së viktimës ku ishte afruar tek dritarja e mjetit dhe i ishte kanosur, ndërkohë që gjatë largimit të viktimës, ishin dëgjuar tri të shtëna nga arma e zjarrit.

“Policia është njoftuar, menjëherë njësitet policore kanë dalur në vendin e ngjarjes dhe është arrestuar i dyshuari F.K. lindur vitin 1987 m/k/ sh, të cilit i është konfiskuar edhe arma gjysmëautomatike me municion të cal.7.62×39 që e ka përdorur në këtë rast. Po ashtu gjatë shikimit të vendit të ngjarjes, janë gjetur tek i dyshuari edhe provat tjera që i kishte larguar nga vendi i kryerjes së veprës.”, është thënë në komunikatë.

Në anën tjetër, policia ka bërë të ditur se prokurori i shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të arrestohet, për të vazhduar me procedura të mëtejme ligjore, për veprën ‘Përdorim i mjetit të rrezikshëm’.

Arma e konfiskuar nga i dyshuari