DebatPernime në Prizren FOTO: KALLXO.com

DebatPernime për tolerancën

Një hoxhë, një murg dhe një sheh u ulën bashkë në Prizren për të diskutuar tolerancën fetare.

‘Jeta në Kosovë’ transmetoi debatin me mikrofon të hapur që u zhvillua në një ndër qytetet me përbërjen më të larmishme etnike dhe religjioze.

Si bashkëjetohet në një ambient shumëetnik në paqe dhe bashkëpunim?

Cilat janë sfidat që vështirësojnë lidhjet ndërkomunitare?

Për këto dhe të tjera, diskutojnë panelistët: Mytaher Haskuka, Kryetar i Prizrenit; Lutfi Ballëku, Imam; Ilarion Lupuloviq, Prift Ortodoks;, Abidin Shehu, sheh; Besa Ismajli, profesoreshë në Fakultetin e Studimeve Islame; Jovana Radosavljeviq, OJQ Iniciativa e Re Shoqërore; Agnesa Çipa-Laçi, qytetare;  Bujar Laçi, qytetar;  Branislav Krstic- gazetar.

Emisioni ‘Jeta në Kosovë’, transmetohet këtë të enjte në RTK, nga ora 21:30 dhe repriza të premten në mesditë.

 

Bashkimi Evropian i ka përsëritur thirrjet të premten që të mos mohohet gjenocidi në Srebrenicë, në një kohë kur është duke u diskutuar një draft-rezolutë në Kombet e Bashkuara për ta shpallur 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

Paralajmërimi i debatit dhe miratimit të mundshëm të draft-rezolutës në Nju Jork në fillim të majit, ka nxitur shumë reagime në Serbi dhe nga politikanët serbë në vendet e tjera të rajonit.

Zëdhënës i BE-së, Peter Stano, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në Evropë “nuk ka vend” për mohimin e gjenocidit, e as për “revizionizëm dhe glorifikimin e kriminelëve në luftës”.

Më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë u vranë më 1995 në Srebrenicë nga Ushtria e Republikës Sërpska. Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.

“Në Bosnje e Hercegovinë dhe në rajon ka ende tendencë për të mohuar gjenocidin në Srebrenicë. BE-ja refuzon çdo mohim, relativizëm, apo keqinterpretim të gjenocidin në Srebrenicë. Gjenocidi është gjenocid dhe ashtu edhe duhet të quhet”, tha Stano.

Parlamenti i Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë e miratoi të enjten një raport, i cili thekson se vrasja e 8.000 myslimanëve në Srebrenicë gjatë luftës së Bosnjës, nuk përbën gjenocid.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha javën e kaluar se Serbia do të luftojë kundër miratimit të kësaj rezolute në OKB, e cila do t’i fajësonte serbët.

Stano u bëri thirrje liderëve politikë në Bosnje e Hercegovinë “të jenë në krye të rrugës që respekton viktimat dhe promovon pajtimin”.

Ai nënvizoi se “nuk është çështje e opinionit” se a është kryer gjenocid në Srebrenicë, por është “fakt historik i vërtetuar ligjërisht” nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë më 2004 dhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më 2007.

Presidenti nacionalist i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, tha para ligjvënësve të enjten se “nuk ka ndodhur gjenocid, prandaj një cilësim i tillë duket të hidhet poshtë”.

“Serbët nuk kanë kryer gjenocid”, shtoi ai.

Stano ishte i ashpër edhe me thirrjet e vazhdueshme të Dodikut për shkëputjen e Republikës Sërpska nga Bosnja e Hercegovina.

“Uniteti, integriteti territorial dhe sovraniteti i Bosnje e Hercegovinës nuk mund të vihet në pikëpyetje. Idetë dhe veprimet ndarëse vetëm sa do t’i izolojnë autorët e tyre më shumë dhe të sjellin më shumë probleme për qytetarët duke i mbajtur ata peng të tyre”, tha Stani duke rikujtuar se BE-ja ka në duart e saj edhe kornizën për vendosjen e sanksioneve ndaj atyre që e rrezikojnë integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës./REL