Foto: Kallxo.com

Debatet për ‘Gjakderdhjen’ dhe ‘Shpatën’ në Gjykimin e Imamëve

Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës Sabri Bajgora ishte dëshmitari i radhës në gjykimin katër imamëve Mazllam Mazllami, Bedri Robaj, Enes Gogaj e Idriz Bilibani si dhe Fuad Ramiqit të cilët po akuzohen për vepra që lidhen me terrorizëm dhe thirrje për rezistencë.

Bajgora, gjatë dëshmisë së tij, kryesisht u deklarua për shkresën të cilën Prokuroria Speciale ia kishte dërguar BIK-ut duke kërkuar përgjigje nga këta të fundit në lidhje me një ligjëratë të mbajtur nga imami Enes Goga nëse ajo ligjëratë kishte qenë konform dispozitave të fesë islame.

Në lidhje me këtë shkresë, Kryeimami i BIK-ut tha se e kishin pranuar nga Prokuroria Speciale dhe se më pas së bashku me dy anëtarë të tjerë të komisionit e kanë shqyrtuar këtë material dhe me fjalët e tyre e kanë shtjelluar citatin në Kuran por që në atë shkresë nuk e kanë cekur nëse ai citim është nxjerrë nga fjalimi i Enes Gogës.

“Në përgjigjën e pyetjes së parë nga prokuroria kemi konstatuar se behët fjalë për një thënie të bekuar të profetit tonë si një paralajmërim për dy ndodhitë që do të ndodhin në të ardhmen dhe e kemi shtjelluar pak me fjalë tona por nuk kemi cekur se këto fjalë janë thënë apo janë nxjerrë nga fjalimi i zotit Goga”, deklaroi Bajgora.

Më pas avokati i të akuzuarit Enes Goga, Durim Osmani, i rikujtoi dëshmitarit përgjigjën që BIK-u ia kishte drejtuar Prokurorisë ku në fund thuhej se komentet që imami Goga i kishte bërë gjatë ligjërimit janë komente të tij personale, dhe kërkoi nga ai ta komentonte këtë përgjigje.

“Në përgjigje keni thënë: “Keni përfunduar fjalinë me fjalët “…këto komentime janë personale të Enes Gogës…”, si e komentoni në raport me përgjigjën që dhatë tani”, e pyeti dëshmitarin avokati Osmani.

“Këto dy pasues nuk kanë kontradiktë në mes vete. Në pasuesin e parë kemi thënë se Muhamedi AS nuk ka përmendur kryqa apo gjakderdhje apo diçka sepse është një hadith që është komentuar shumë gjatë edhe në botën islame për shekuj me radhë. Ndërkohë që në pasuesin vijues si komision kemi konstatuar se komentimet e Z. Enes Goga rreth kryqit apo bajrakut që përmendet janë komente të tij personale”, deklaroi dëshmitari.

Në lidhje me këtë përgjigje të BIK-ut drejtuar prokurorisë speciale, Bajgora tha se janë përgjigjur duke pasur parasysh etikën që duhet të ketë një ligjërues fetar.

“Komisioni që ka punuar në këtë përgjigje duke pasur parasysh etikën që duhet ta ketë një ligjërues fetar ka ardhur deri te një konstatim i tillë që ligjëratat nuk duhet të përmbajnë mesazhe qoftë edhe fyese për dikë”, tha Kryeimami Bajgora.

Ndër të tjera ai tha se komisioni në fjalë nuk ia ngarkon Z.Goga as fjalët gjakderdhje e as shpatë por që këto janë komente të komisionit lidhur me keqkuptimet që ka ngjallë ky hadith në shekujt e kaluar në botën islame.

“E përsëris edhe një herë se komisioni në fjalë nuk ja ngarkon Z.Goga as fjalët gjakderdhje e as shpatë këto janë komente të komisionit lidhur me keqkuptimet që ka ngjallë ky hadif në shekujt e kaluar në botën islame”, tha ai.

Kurse vetë i akuzuari Enes Goga në pyetjet që i drejtoi Kryeimamit të BIK-ut, tha se e konsideron fyerje aktakuzën e ngritur ndaj tij.

“Krejt ky proces i cili ka filluar prej vitit 2014 është një fyerje dhe një nënçmim shumë i madh që më ka ndodhur mua, familjes time dhe mbi të gjitha institucionit të bashkësisë islame”, tha imami i akuzuar Goga.

Ai tha se BIK është prej institucioneve më kredibile, e procesin e konsideroi si një sulm që e godet BIK-un mbi gjëra të pabazuara.

Ndërsa prokurori Gecaj kërkoi të dinte nga Kryeimami nëse kishin kërkuar ndonjë sqarim nga kryetari i BIK-ut në Pejë në lidhje me rastin.

“BIK-u është njoftuar se ndaj një imami është hapur një proces penal, a keni kërkuar ju prej këtij kryetari të BIK-ut në Pejë ndonjë sqarim apo a keni pasur ndonjë bisedë me të në lidhje me rastin” e pyeti prokurori, dëshmitarin.

Bajgora tha se kryesia e BIK-ut kishte mbajtur mbledhje dhe kishte analizuar situatën aktuale për të cilën myftiu Tërnava ishte prononcuar para mediave dhe publikut ku kishte shprehur edhe vullnetin dhe mendimin e vet dhe të anëtareve të kryesisë se në asnjë mënyrë nuk do të pengonin hetimet e shtetit ndaj imamëve të akuzuar, duke theksuar se përderisa nuk vërtetohet fajësia e tyre ata për BIK-un janë të pafajshëm.

Trupi gjykues më pas vazhdoi me procedimin e provave materiale, shqimin e dëshmisë-materialit që përmbante një video-incizim të ligjëratës të cilën e kishte mbajtur imami Idriz Bilibani.

Për shkak të kësaj video trupi gjykues mori aktvendim që mediat dhe publiku të përjashtoheshin nga salla pasi që sipas tyre në atë video shihen disa persona të cilët kanë humbur jetën në luftën në Siri, dhe kjo nga trupi gjykues u cilësua se mund të keqpërdoret nga mediat dhe mund të ngjallë dhimbje te familjarët e të vrarëve.

“Trupi gjykues pas shqyrtimit të palës mbrojtëse merr aktvendim që mediat të përjashtohen nga salla vetëm sa i përket kësaj pjese” deklaroi kryetari i trupit gjykues Vesel Ismajli.

http://kallxo.com/kryeimami-bashkesise-islame-deshmitar-ne-gjykimin-e-imameve-2/

http://kallxo.com/fuad-ramiqi-dhe-4-imame-deklarohen-te-pafajshem/