Xhafer Gashi përballë problemit të ndotjes e të mbeturinave në Obiliq 

Në vitin 2021 kur Xhafer Gashi, atëherë nga Iniciativa Qytetare për Obiliqin, tash nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), po garonte për mandatin e tretë në Obiliq, obiliqasve u kishte dhënë disa premtime. 

Tre vjet pas, në emisonin “Jeta në Komunë”, Gashi u sfidua për premtimet e parealizuara e cilësinë e punëve të kryera në Obiliq. 

Kjo Komunë vazhdon të mbetet pjesa më e ndotur e Kosovës, për shkak të KEK-ut.

Obiliqi është Komunë, e cila sfidohet mjaft shumë nga ndotja e qymyrit. 

Pa opozitën në sallë, Gashi i LDK-së,  gjatë emisonit “Jeta në Komunë”, u përballë me pamjet që u transmetuan gjatë debatit, të cilat tregonin për gjendjen me mbeturina në fshatin Plemetin afër lumit Sitnica. 

“Duhet t’i pastrojmë deponitë ku po krijohen. Këtu aktualisht nuk ka, por në shumë pjesë të territorit ka kamera.”

Çka fshihet prapa shiritit të Xhafer Gashit?

Projektet e promovuara nga Gashi në rrjete sociale, u verifikuan edhe nga ekipi i KALLXO.com në Obiliq. 

“Jeta në Komunë” gjeti se në Obiliq ndonëse punët u kryen nga komunarët, cilësia e tyre nuk i përmbushte standardet. 

Gashi në profilin e tij në Facebook, promovoi Projektin e Nënkalimit, i cili gjendet në afërsi të termocentralit “Kosova B”, ku tha se Projekti do të ofrojë siguri për qytetarët. 

Nëntë muaj pas, Punëkryesi nuk ndodhej në vendin e punës dhe Projekti kishte grumbulluar ujëra. 

Për këtë, Kryetari Gashi tha se ende është duke u punuar në këtë Projekt. 

“Nëse është i parrethuar nuk nënkupton që ai nuk është në realizim. Ka ra shi dje, nuk është përfundu si Projekt. Duhet me e trajtu, nëse ka ujë, ajo do të konsiderohet problematikë.” – tha Gashi. 

Ekipi i KALLXO.com në Obiliq gjeti dhe verifikoi, po ashtu, edhe trotuaret e prishura e me gropa në qytet. Në rrugën përballë Hyrjes së QKMF-së, gjendja e tillë e trotuareve vazhdonte nga kjo pjesë deri në hyrje të qytetit të Obiliqit. 

Ndërkaq, Parku i fshatit Bakshi, i cili ishte përuruar nga Kryetari më 15.12.2023 – pas gati një viti – doli se nuk ishte ashtu siç u promovua në profilin e Kryetarit në Facebook. 

Pemët e mbjellura nuk i kishin mbijetuar thatësisë dhe ishin vyshkur – rreth 100 drunj të mbjellur përgjatë Shëtitores ishin në këtë gjendje. 

“Janë kanë mirë, por janë tharë. Më shumë se gjysma janë tharë. Ndriçimi ka ba, por tash qe dy ditë nuk po bën ndriçimi.” – u ankua Sadije Gimolli, banore e fshatit Bakshi.  

Gashi për këtë përgjegjësinë ia la Kompanisë kontraktuese, e cila merret me mirëmbajtjen e këtij Parku. 

“Një pjesë që janë tha, Kontraktori që e ka përsipër, ai duhet t’i ndërrojë.” – tha Gashi. 

 

Ku e kapi në rrenë Krypometër Xhafer Gashin e Obiliqit?

Në kohën kur Xhafer Gashi kishte premtuar zgjerimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisië Familjare në Obilq, veçse e kishte një plan të fizibilitetit.

“Te QKMF-ja, meqë e kemi fjalën, ne e kemi bërë edhe studimin e fizibilitetit, që të ndërtohet kati i dytë. Edhe një pjesë e katit të tretë, me qëllim që të kenë hapësira më shumë.” – kishte premtuar Xhfer Gashi, më 06.10.2021. E, Komuna e Obiliqit thotë se “Objekti pritet të përfundojë brenda vitit 2025.”

Kryetari i Obiliqit, pas ndërtimit të Shtëpisë së Shëndetit në fshatin Milloshevë, kishte premtuar që kjo Qendër të pajisej edhe me laboratorë gjatë mandatit të tij.

Krypometër më 10.09.2024 ka vërtetuar se laboratori është funksional, në Shtëpinë e Shëndetit në Milloshevë.

Kryetari për banorët e Milloshevës kishte premtuar edhe një Çerdhe, e cila sipas Kryetarit do të niste në vitin 2022 dhe do të ishte gati në vitin 2023.

“Në Milloshevë, Çerdhja në vitin 2022 do të fillojë dhe do të përmbyllet në vitin 2023.” – kishte premtuar Gashi, më 06.10.2021.

Mirëpo, fundi i vitit 2024 e gjeti fshatin Milloshevë pa Çerdhe funksionale. 

Gjatë vizitës në terren, nga ekipi i KALLXO.com në vendin ku po ndërtohej Çerdhja, nuk u panë punëtorë të cilët punonin.  

Vonesën e përfundimit të kësaj Çerdheje, i pari i Obiliqit e arsyetoi për shkak të Buxhetit Komunal. Pasi që, në fokus të Komunës kanë qenë punimet në Nxemjen e qytetit dhe Kërkesa për ndërtimin e kësaj Çerdheje i është adresuar Ministrisë së Arsimit. 

“Duke u bazuar në Buxhetin që e ka Komuna dhe në fokusimin e Buxhetit, në Nxemjen qendrore – për shkak të impaktit të ambientit – ne kemi adresuar Kërkesë në Ministri ‘për ndërtimin e Çerdhes në Milloshevë’. Nga viti 2022, kemi adresuar Kërkesë të vazhdushme dhe është aprovuar në vitin 2023. Ka filluar ndërtimi dhe është një e mirë që kjo Çerdhe do të hapet në Dhjetor këtë vit.” – ka thënë kryetari Gashi.

Ndërsa, në fshatin Mazgit, Gashi premtoi se Çerdhja do të jetë gati në vitin 2021. Por, ende punimet në këtë Çerdhe nuk kanë përfunduar. 

Komuna është përgjigjur se kjo Çerdhe pritet të funksionalizohet brenda vitit 2024. 

Gashi i LDK-së kishte premtuar edhe trotuare në Obiliq. 

“Përveç te ‘Martirët Aliu’, do të ndërtohet edhe trotuari për Breznicë dhe Kozharicë. 2022 -2023 do të jenë të përmbyllura të gjtha.” – kishte premtuar kryetari Gashi.

Mirëpo, në vitin 2024 punimet e këtij Projekti nuk kishin nisur ende. 

Sipas Kryetarit, ky Projekt nuk ka nisur ende. Pasi që, është nënshkruar një memorandum mes disa Komunave në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës. Dhe, se ky Projekt parashihet të përfshihet në këtë Projekt të përbashkët.

“Nuk u kry. Sepse, kemi nënshkruar një memorandum mes katër Komunave. Në këtë rast: Prishtina, Podujeva, Obiliqi dhe Vushtrria – që të bëhet një Projekt i përbashkët, përmes Ministrisë, që të realizohet deri në Shalë. Jemi në pritje tani për realizim.” – ka thënë Gashi.

Për mungesën e këtyre trotuareve foli edhe një banor i fshatit Breznicë, i cili ngriti shqetësimin për numrin e madh të nxënësve, të cilët detyrohen të ecin përgjatë rrugës së asfaltuar – si shkak i mungesës së tortuareve.

“Nuk ka trotuare. Është premtuar qysh në mandatin e parë, por trotuari nuk është rregulluar. Breznica i ka me siguri rreth 400 nxënës. Këtë rrugë e frekuentojnë mbi 100 nxënës, të cilët shkojnë në shkollë në Breznicë – ecin rrugës edhe asfaltit.” – thotë banori Hajriz Krasniqi.

“Fillimisht do të fillojmë ndërtimin e Qendrës Rinore në komunën e Obiliqit.” – premtimi i Kryetarit Gashi.

Ndërkaq, pas gati 3 vjetësh mandat ende nuk ka nisur ndërtimi i kësaj Qendreje në Komunën e Obiliqit.

Xhafer Gashi kishte premtuar, po ashtu, se gjatë mandatit të tij, të gjitha shkollat e Obiliqit do bëhen me psikologë.

Krypometër e ka vlerësuar “Me kos” këtë premtim të Gashit – pasi Komuna e Obiliqit ka vetëm katër psikologë në dhjetë shkolla. 

“Psikologët janë pranuar bazuar në numrin e nxënësve. Pra, në katër shkolla të mëdha. Shërbimi i psikologut kryhet në të gjitha shkollat – sipas kërkesave dhe nevojave të nxënësve.” – thuhet në përgjigjen zyrtare të Komunës së Obiliqit.

Premtim tjetër i Kryetarit të Obiliqit ishte edhe rrënimi i objektit të Postës – duke e ktheyr këtë hapësirë në Shesh për qytetarët e Obiliqit.

Mirëpo, verifikimi në terren tregoi se objekti i Postës ende nuk është rrënuar. 

Kryetari Xhafer Gashi beson së ky objekt do të rrënohet. Pasi që – sipas tij – nuk është në vendin e duhur, pavarësisht ankesave të Postës.

“Është procedurë gjyqësore. Ne kemi fillu procedurën me rrënu. Është ankuar Posta dhe tani është në proces të krijimit të elaboratit dhe unë besoj se ajo do të rrënohet, se nuk e ka vendin aty.” – ka thënë kryetari Xhafer Gashi.

Gashi në vitin 2021 kishte dhënë premtime edhe për Fushën e sportit. 

“Do të ndërtojmë një Pishinë gjysmë-olimpike, që do të jetë në shfrytëzim të nxënësve.” – kishte thënë Gashi. 

Premtimi ishte që kjo Pishinë të ndërtohej në oborrin e shkollës “Ibrahim Rugova”, por punimet për këtë Projekt ende nuk kanë nisur.

Kryetari Gashi tha se ky Projekt nuk është realizuar. Pasi që, kanë ardhur Projekte jashtë Planifikimit buxhetor që Komuna – sipas tij – është dashur që patjetër t’i  realizonte. 

“Kena pas Projekte që kanë ardhur jashtë Planifikmeve buxhetore. P.sh., hekurudha, ndërtimi i korridorit të dheut është dashtë të ndërtohen dy Nënkalime, nga Buxheti i Kapitalit të vitit të kaluar. Komuna ka shpenzuar 99.72% dhe Nxemja e ka marrë pjesën më të madhe – diku rreth katër milionë euro.” – ka deklaruar Gashi.

Ndërsa, përgjigjja e Komunës për këtë Projekt është se do të finalizohet në vitin 2025-2026.

“Si tani do të vazhdojmë edhe më tutje. 50% të drejtoreshave i kemi gra.” – premtoi Xhafer Gashi në 2021. 

Ky premtim nuk u përmbush në plotni. Pasi që, nga 11 Drejtori sa ka Komuna e Obiliqit vetëm katër prej tyre udhëhiqen nga gratë.

Për ndarjen e pabarabartë gjinore të Drejtorive Komunale, Gashi u arsyetua me faktin se në këtë mandat i ka katër Drejtoresha; si dhe, Kryesuesen e Kuvendit e atë të Prokurimit – po ashtu, gra. 

Xhaferi premtoi edhe ndërtimin e sheshit “Adem Dreniqi” dhe ky Projekt tani është finalizuar.

Përveç se u premtua që të gjitha shkollat në Obiliq do të pajisen me psikologë, shkollave të kësaj Komune iu premtua edhe Salla sportive.

“Do t’i pajisim të gjitha shkollat me Sallat e Edukatës fizike.” – premtoi Xhafer Gashi.

Komunarët e Obiliqit, përmes një përgjigje me shkrim, kanë deklaruar se “shkollat kanë Salla të Edukatës fizike, e po ashtu edhe poligone sportive”.

Mirëpo, Ekipi i KALLXO.com në terren verifikoi se shkolla fillore në Breznicë nuk ka Sallë të Edukatës fizike.

 

“Problemet teknike” e nxorën Obiliqin me performancë të dobët

Komuna e Obiliqit është në mesin e 11 (njëmbëdhjetë) Komunave të Kosovës, e cila ka përfituar Grantin e Performancës nga MAPL.

Megjithatë, të dhënat e Raportit të kësaj Performance, nuk janë në nivelin e duhur. 

Në bazë të Performancës Komunale, që e bën Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Obiliqi del të jetë Komuna e 18-të në fushën e barazisë, punësimit e shërbimeve sociale. Në fushën e mirëmbajtjes së hapësirave publike, Obiliqi zë vendin e 11-të. Në fushën e transportit publik është Komuna e 12-të. 

Në mbrojtje të mjedisit, Obiliqi zë vendin e 10-të në Kosovë e për kujdesin primar shëndetësor është Komuna e 9-të, në mesin e të gjitha Komunave të Kosovës. 

“Problemi është jashtëzakonisht serioz, sepse Grupi i Performancës nuk po mund t’i dërgojë të dhënat në Sistemin e Ministrisë së Pushtetit Lokal – për shkak të problemve teknike.” – u arsyetua Kryetari Gashi, për të dhënat e këtij Raporti.  

Në fushën për barazinë gjinore në buxhetimin për punësim, MAPL e ka vlerësuar Komunën e Obiliqit me zero pikë. 

“Ne e dijmë që këto tri vjet i kemi subvencionu 130 zonja të nderuara, për fillimet e bizneseve të reja. Pse është zero, s’po e kuptoj.” – ishte përgjigjja e Gashit.

Gashi, ndër të tjera, thotë se vazhdimisht si Komunë i mbështesin gratë në biznese, në hapjen e bizneseve të reja – pavarësisht, të dhënave të Performancës së MAPL-së. 

“Problemet me MAPL-në janë të shumta. Sepse, edhe Sistemi shpeshherë po ka problem. Sot, aktualisht nuk funksionon. Unë e di që në këtë drejtim kemi investu në vazhdimësi dhe ndoshta jemi lider – Komunë që kemi fillu me Start-Up dhe i mbështesim gratë në biznes.” – tha Gashi. 

 

Çka thotë Auditori për Obiliqin?

Si edhe në disa Komuna të tjera të vendit, edhe në Obiliq, Auditori zbuloi shkelje e parregullsi që u bën nga komunarët. 

Sipas Auditorit, qeverisja e Xhafer Gashit në Obiliq pati parregullsi në tenderin për Varrezat e Xhamisë në Hamidi. 

Auditori zbuloi se Kompania e cila e mori tenderin, nuk kishte dëshmuar eksperiencën e stafit.  

“Te prezentimi i Raportit të Prokurimit edhe Raportit të Auditimit, ne i kemi çu arsyetimet, por ata s’i kanë marrë për bazë.” – u arsyetua Gashi për këtë.  

Po ashtu – sipas Auditorit – Komuna e Obiliqit, jashtë kritereve, i dha një kultivator dikujt i cili nuk ishte nga Obiliqi. 

“Ai ka qenë banor i Obiliqit, kur ka apliku. Pastaj e ka ndërru adresën edhe ka shkuar dikund tjetër. Ka qenë përfitues, ne ku e kemi ditë a e ka ndërru adresën apo jo.” – u përgjigj Gashi. 

Auditori thotë se qiraxhinjtë e Komunës u toleruan të mos paguanin qiranë. Ndërsa, borxhi i qytetarëve ndaj Komunës u rrit në 1.7 milionë euro gjatë vitit 2023. 

Përveç kësaj, Auditori në tri Kontrata të mëdha gjeti se Komuna kishte keqplanifikuar. Probleme serioze u hasën edhe në vitin 2022. Auditori gjeti se në këtë vit, Komuna pagoi jashtë rregullave 265 punonjës. Probleme pati edhe në ‘prokurim’ dhe ‘menaxhim të kontratave’. Ndërkaq, në garën zgjedhore në vitin 2021, Xhafer Gashi premtoi se do t’i ndëshkonte komunarët të cilët bëjnë shkelje.