Një paraushtarak serb shkelmon trupin e një gruaje në Bosnjë në vitin 1992 - Foto: Ron Haviv/VII.

Të Kapësh Imazhin e Spastrimit Etnik në Bosnjë

Fotografia e Ron Haviv e vitit 1992 e një luftëtari paraushtarak serb duke qëlluar me shkelm trupin e pajetë të një gruaje të moshës së mesme që shokët e tij e kishin vrarë vetëm pak momente më parë, mund të mos e ketë ndryshuar rrjedhën e luftës në Bosnjë siç bëri fotografia e famshme e Nick Ut e një vajze vietnameze të zhveshur që largohej me vrap pas një sulmi me napalm në fshatin e saj.

Por, për ata që në atë çast nuk e kishin kuptuar ende plotësisht termin “spastrimit etnik” – të cilin gazetarët po e përdornin për të përshkruar atë që po ndodhte në Bosnjë dhe Hercegovinë – fotografia tronditëse shpjegoi shpejt se sa i pisët ishte në të vërtetë “spastrimi”.

Një tjetër foto që Haviv shkrepi në Panama në vitin 1989 tregon zëvendëspresidentin e porsazgjedhur Guillermo Ford duke iu shmangur një sulmi nga një mbështetës paraushtarak të regjimit diktatorial të Manuel Noriegës.

Këmisha e përgjakur në foto, qëndrimi mbrojtës dhe ushtari që rri në sfond, duke mos bërë asgjë për të ndaluar sulmuesit, frymëzoi një revolucion.

Zëvendëspresidenti i Panamasë, Guillermo Ford, duke u sulmuar në vitin 1989 - Foto: Ron Haviv
Zëvendëspresidenti i Panamasë, Guillermo Ford, duke u sulmuar në vitin 1989 – Foto: Ron Haviv

Tani fotografi që ka fituar shumë çmime dhe mikesha e tij, profesoresha e foto-reportazhit Lauren Walsh, kanë vendosur të shqyrtojnë se si dhe pse veçanërisht këto dy foto nga mijëra fotografi që Haviv ka realizuar deri më tani u bënë të famshme.

Për dokumentarin e tyre, me titull “Biografia e një Fotografie”, ata udhëtuan në Bosnjë dhe Panama për të intervistuar njerëzit në lidhje me kuptimin që kishin ato dy fotografi për shoqëritë e tyre.

“A kanë ende një kuptim fotografitë dhe nëse po cili është ky kuptim?”, shpjegoi Haviv në një intervistë për BIRN.

“Ka shumë korrelacione midis fotos në Bosnjë dhe asaj në Panama. Edhe pse fotot janë shumë të ndryshme, ajo në Panama pasqyron luftën për demokraci dhe fotografia këtu në Bosnjë është foto e një krimi lufte, e cila për mendimin tim nuk kishte ndonjë ndikim kur u shkrep”, tha Haviv.

Edhe pse imazhi shkaktoi një trazirë ndërkombëtare në atë kohë, ai nuk bëri asgjë për të ndryshuar rrjedhën e konfliktit. Megjithatë, ai e shndërroi Havivin në një viktimë të mundshme.

E shkrepur nga hapësira e vogël midis pjesës së përparme dhe të pasme të një kamioni në një rrugë në qytetin lindor boshnjak të Bijelinës, fotografia paraqet një akt të pakuptimtë që përcakton edhe mënyrën e të menduarit të atyre që kanë kryer krime lufte gjatë konflikteve në Ballkan në vitet 1990.

Haviv pa kur njësia famëkeqe nacionaliste serbe “Tigrat”, e udhëhequr nga Zhelko Razhnjatoviq, i njohur ndryshe si Arkani, mbërritën në Bijelinë. Ai shkrepi fotografi kur ata nxorën një burrë dhe një grua boshnjake nga shtëpia e tyre, vranë burrin dhe pastaj gruan. Ai fotografoi çastin kur ata nxorën motrën e gruas dhe e vranë dhe atë, por në një farë mënyrë autorët e krimit nuk ishin në ndonjë nga fotografitë.

“Kuptova se s’kisha asgjë për të vërtetuar atë që ndodhi, kështu që doja t’i kapja Tigrat në të njëjtën fotografi me trupat e pajetë”, risjell në mendje Haviv.

Disa minuta më vonë, disa luftëtarë erdhën nga cepi i rrugës dhe Havivi ngriti aparatin e tij për t’i fotografuar ata pranë trupave të pajetë, kur një tjetër anëtar i njësisë paraushtarake thjesht u afrua dhe, pa pasur asnjë arsye, goditi me shkelm trupin e gruas së vdekur.

Zhurma e aparatit fotografik të Havivit bëri që ushtarët të ktheheshin dhe ta shikonin atë, por ai thjesht u dhuroi një buzëqeshje të madhe.

Arkani i kërkoi filmin dhe i premtoi se do t’ia rikthente Havivit pasi t’i hidhte një sy fotografive. Nëse i pëlqenin, Havivi do të merrte mbrapsht filmin e tij.

Por, ajo që Arkani nuk e dinte ishte se Havivi e kishte fshehur më parë filmin me fotografinë në makinë, kishte vënë një film të ri dhe kishte filluar të bënte fotografi të tjera.

“Pastaj filluam një bisedë qesharake për laboratorët e fotografive në Beograd, ku unë i thashë që nuk bënin dhe i kërkova të më lejonte ta laja unë filmin. I premtova se do t’i çoja fotografitë dhe se ai mund të më thoshte se kë mund të përdorja”, thotë Haviv.

“Diskutuam për rreth 15 minuta për larjen e filmit. Në këtë pikë, e dija që filmi im iku, por doja që ai të shikonte se po luftoja shumë për këtë aparat dhe s’dua të mendojë se aty ka fotografi të tjera”, shton ai.

Arkani e mori filmin nga aparati i Havivit, por fotografi u kthye me makinë në Beograd dhe stampoi imazhin nga filmi që kishte fshehur.

Kur fotografitë u publikuan, ato bënë që Arkani të tërbohej dhe zemërohej, përfshirë një deklaratë të dyshuar ku citohej se ai mezi po priste t’i pinte gjakun Havivit.

Ron Haviv.
Ron Haviv.

Gjatë tetë viteve në vazhdim, Haviv u përpoq t’i qëndronte larg Arkanit ndërsa mbulonte ende konfliktet në Ballkan.

“Fotografë të tjerë u arrestuan, sepse më ngjanin mua. Unë i shpëtova për fije, kryesisht në Kosovë”, tha ai.

U desh kohë që fotografia nga Bosnja të bëhej një imazh i rëndësishëm. Kjo mund të ketë ndodhur pas ekspozimit të saj në sallën e gjyqit të gjykatës së krimeve të luftës të mbështetur nga OKB-ja në Hagë nga prokurorët që po përpiqeshin t’i shpjegonin “spastrimin etnik” gjyqtarëve.

Fotografia atëherë u shndërrua në një nga simbolet e konflikteve në Ballkan, por kishte sidomos domethënie për boshnjakët, të cilëve u kujton vuajtjet që duruan.

Ajo pati gjithashtu edhe një pasojë tjetër të paqëllimshme – para disa vitesh u përdor si material propagandistik në luftën në Ukrainë.

“Një bloger shumë i njohur rus kishte marrë fotografinë e shkrepur në Bosnje në Bijelinë dhe ia kishte ndryshuar titullin. Ai shkroi se ushtarët në fakt nuk ishin serbë, por ushtarë ukrainas dhe se viktimat nuk ishin myslimanë boshnjakë, por se ishin rusë etnikë që jetonin në Ukrainë”, thotë Haviv.

Bloger ndiqej nga shumë njerëz dhe fotografia u përhap shumë në të gjithë Rusinë. Haviv shkroi një deklaratë publike duke shpjeguar se fotoja ishte nga Bosnja dhe jo nga Ukraina, por ai thotë se blogeri kishte një audiencë shumë më të madhe sesa ai.

Përfundimisht blogeri e hoqi foton, por heqja e tij shkaktoi pak reagim dhe fotografia u shfaq përsëri me të njëjtin përshkrim muaj më vonë gjatë një ekspozite fotografike në Moskë, thotë Haviv.

“Ndjeva një mungesë të madhe respekti për viktimat në atë fotografi – që sakrifica dhe humbja e tyre u keqpërdor në atë mënyrë. Ndjeva gjithashtu një grusht në idenë e asaj që duhet të jetë gazetaria, në të këtë rast foto raportimi, dhe se sa e lehtë po hidhet poshtë ajo”, shton ai.

Haviv beson se ajo që i ndodhi fotografisë së tij është një tregues i vogël i rreziqeve me të cilat po përballen gazetaria dhe foto raportimi.

“Ky fenomen ka ndodhur vazhdimisht me fotografinë. Imazhe që keqpërdoren me përshkrime që ndryshohen, palë të ndryshme që përdorin fotografi për arsye të ndryshme”, shpjegon ai.

“Por mendoj se kurrë më parë nuk ka arritur ndonjë pikë si tani që është kaq e rrezikshme, për shkak të aftësisë së pamjeve për t’u shpërndarë gjerësisht shumë shpejt. Edhe kur ka korrigjime, s’mund ta korrigjosh kurrë çastin e parë”, thotë ai.

Haviv dhe Walsh shpresojnë që dokumentari i tyre të jetë gati për Festivalin e Filmit në Sarajevë në vitin 2018.