Rudari sqaron shtrimin e asfaltit dhe shpalljen e konkurseve para zgjedhjeve në Podujevë

Kandidati i LDK-së për kryetar të Podujevës, Nexhmi Rudari, i cili ka qenë nënkryetar i Komunës së Podujevës dhe ushtrues detyre i kryetarit pas dorëheqjes së Agim Veliut ka sqaruar shtrimin e asfaltit, zhavorit dhe konkurset e shpallura para zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Podujevë.

“I thatë disa gjëra që duhet t’i kontestoj , asfalt nuk është kah shtrohet buxheti nuk është miratu dhe nuk mund të kryhen procedura të tilla. Me zhavorr po, sepse është kontrata 2 vjeçare. Unë nuk them që ka ndonjë rast që ia shtrojmë në oborr të shtëpisë”, ka thënë Rudari.

Ndërsa për shpalljen e konkursit ka thënë se faji ka qenë te pezullimi i Ligjit për shërbyesit civil.

“Ligji për shërbyesit civil ka qenë i pezulluar, janë grumbulluar shumë konkurse, tani kur është hequr ai pezullim ne i kemi shpallur. Ligji ka qenë i pezulluar deri para 2-3 jave. Njerëzit kanë dalë në pension, kanë vdekur dhe është dashtë me i shpallë këto pozita”, ka thënë Rudari.

Debati i sontëm në Podujevë me kandidatët për kryetar në këto zgjedhje të jashtëzakonshme po mbahet pa publik.

Kjo pasi që Qeveria e Kosovës pak para fillimit të debatit mori vendim që aktivitetet publike dhe jo publike të mbahen të mbyllura pa praninë e publikut.

Sonte në “Debat Pernime” janë prezent tre kandidatët për kryetar të Komunës së Podujevës, Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës, Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Komunën e Podujevës po mbahen për shkak të ndërrimit të pozitës së kryetarit të kaluar Agim Veliu.

I njëjti në qeverinë e re është pozicionuar si Ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Podujevës mbahen ditën e diel më saktë më 15 mars.