Rudari: Gjysma e çerdhes në Podujevë është e zbrazur, kërkesa nuk është e madhe

Kandidati i LDK-së për kryetar të Podujevës, Nexhmi Rudari, i cili ka qenë nënkryetar i Komunës së Podujevës dhe ushtrues detyre i kryetarit pas dorëheqjes së Agim Veliut ka dhënë disa premtime për fushën e arsimit.

Fillimisht ai ka treguar se cilat shkollë e punë janë përfunduar në arsim në këtë komunë.

“Pasi që ju keni konstatuar se rrugët janë shtruar, investimet me i orientu në infrastrukturën shkollore, kemi përfunduar shkollën në Llapashticë të ulët me buxhet të Komunës, është përfunduar në Bajqinë me buxhet të Ministrisë, por inventarizimi nuk është bërë nga Ministria, kemi marrë premtim që posa të miratohet buxheti në Kuvend do të përfundojë”, ka thënë Rudari.

Rudari ka thënë se në Podujevë nuk ka nevojë për çerdhe të re për shkak se as çerdhja e vetme që ekziston nuk është mbushur sipas kapaciteteve që i ka.

“Çerdhja e re është ndërtuar sipas standardeve europiane me kapacitet për 120 nxënës, në atë çerdhe janë 62 fëmijë, gjysma është e zbrazur, fatkeqësisht nënat nuk punojnë dhe kërkesa nuk është e madhe. Nëse rritet kërkesa do të shqyrtohet mundësia për çerdhe të re”, ka thënë Rudari.

Debati i sontëm në Podujevë me kandidatët për kryetar në këto zgjedhje të jashtëzakonshme po mbahet pa publik.

Kjo pasi që Qeveria e Kosovës pak para fillimit të debatit mori vendim që aktivitetet publike dhe jo publike të mbahen të mbyllura pa praninë e publikut.

Sonte në “Debat Pernime” janë prezent tre kandidatët për kryetar të Komunës së Podujevës, Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës, Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Komunën e Podujevës po mbahen për shkak të ndërrimit të pozitës së kryetarit të kaluar Agim Veliu.

I njëjti në qeverinë e re është pozicionuar si Ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Podujevës mbahen ditën e diel më saktë më 15 mars.

LIVE Debati me kandidatët për kryetar të Podujevës #ZGJEDHJET2020 #DEBATPERNIME

LIVEDebati me kandidatët për kryetar të Podujevës#ZGJEDHJET2020#DEBATPERNIME

Publiée par Kallxo.com sur Mercredi 11 mars 2020