Dodona

‘Dashuritë e virgjëreshës Madalenë’ javën tjetër në ‘Dodonë’

Në Teatrin “Dodona” në Prishtinë do të shfaqet në fillim të javës së ardhshme monodrama ‘Dashuritë e virgjëreshës Madalenë’ të autorit Ridvan Dibra.

Premiera e kësaj shfaqjeje planifikohet të jepet më 5 shkurt 2019 në skenën e mbrëmjes të Teatrit ‘Dodona”.

Regjisori i shfaqjes Ben Apolloni ka thënë në një prononcim për KALLXO.com se shfaqja trajton jetën, dashuritë dhe virgjërinë e Madalenës.

Vepra është e ndarë në tri etapat e personazhit, që sipas tij janë edhe etapat më të rëndësishme në jetën e një njeriu e sidomos të një gruaje a vajze.

“Prekja e temës së virgjërisë në shoqërinë tonë (ende) shumë patriarkale e bën këtë monodramë të guximshme, e sidomos për nga mënyra se si e trajton këtë fenomen të shoqërisë sonë dhe jo vetëm të shoqërisë sonë. Titulli i veprës është një replikë ironike ndaj Magdalenës së virgjër biblike”, ka pohuar ai për KALLXO.com.

Shfaqja është bashkëproduksion i aktores-producentes, Arjola Demiri dhe Teatrit “Dodona”.

Rolin e Madalenës e interpreton Arjola Demiri, skenografinë e ka bërë Ben Apolloni, kostumet Valdete Mustafa, kurse muzikën origjinale dhe efektet e zërit, Memli Kelmendi.