Foto: KOSID

Dardan Sejdiu: Duhet të ndalet kontrata me Contour Global

Deputeti i Partisë Social-Demokrate, Dardan Sejdiu, ka thënë se do të mundohet ta ndalë miratimin e kontratës për ndërtimin e termocentralit në mënyrën siç është. Këtë deklaratë ai e dha gjatë diskutimit të Konsonsiumit të Shoqërisë Civile të Kosovës për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) në lidhje me energjinë e pastër.

Ai shprehu kundërshtim në lidhje me kontratën e Qeverisë me kompaninë Contour Global.

“Marrëveshja me Contour Global është financiarisht, ekonomikisht, ligjërisht problematike. Duhet të ndalet… Jemi nënshkrues të traktatit të energjisë. Kemi nënshkruar kontratë që i thyen të gjitha këto. E gjithë kjo është bërë duke e rritur çmimin e enegjinë”, tha Sejdiu.

“Për vete do të angazhohen që kjo kontratë në këtë formë të mos kalojë… ”, u shpreh deputeti i PSD-së.

Veç tjerash, Sejdiu tregoi se për të kaluar në Kuvendin e Kosovës, marrëveshja duhet të votohet nga dy të tretat e deputetëve.

Sipas Sejdiut, rritja e çmimit të energjisë ka pasoja për bizneset.

“Një prej kosotove kryesore sa i përket përpunimit dhe prodhimit është fatura e energjisë. Rritja e kostos në 60% ka efekt të menjëherëshëm në biznes nuk mendoj që kjo është rruga përpara për çmime të larta”, tha ai.

Po ashtu, Sejdiu tha se ka përpjekje që nënshkrimi dhe zbatimi i kontratës të arsyetohet me ruajtjen e imazhit të Kosovës për shkak se është nënshkruar me një kompani amerikane.

Ndërkaq, Dirk Buschle, nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë, tha se komuniteti ëstë duke e bërë një plan për energjinë që pritet t’ia prezantojë ekzektutivit.

“Jemi duke e bërë një draft plan për Kosovën që do t’ia prezantojmë Qeverisë së Kosovës në mënyrë që fillojë tranzicionin”, tha ai duke iu referuar lëvizjes nga energjia që prodhohet me qymyr në energji të pastër.

Buschle shtoi se transpozimi i direktivave të BE-së nuk është bërë në ligje.

Ai shtoi se disa direktiva të BE-së nuk janë transpozuar fare.

“Nëse e sheh që shteti nuk e ka një komision shtetëror për atë punë sigurisht që nuk është i mundshëm zbatimi. Nëse nuk e ke askënd që i zbaton ligjet atëherë nuk ka asgjë”, u shpreh ai.

Kai Hofman, nga organizata e Qeverisë gjermane “GIZ”, tha se ka perceptime të pasakta në lidhje me energjinë e ripërtërishme.

“Ka shumë mite që po i dëgjoj nga deputetët, nga ministrat, nga njerëzit në rrugë që i përsërisin përsëri dhe përsëri. Një nga mitet është që po e dëgjoj është që thëngjilli është i lirë. E dyta është që energjia e ripërtrishme është e shtrenjtë dhe se Kosova nuk ka kapacitet për prodhimin e kësaj energjie”, tha ai.

Gjithashtu, Hofman tha se nuk e përkrah energjinë me ujë por atë me diell.

“Po jetojmë në burime të pakëta të ujit, nuk duhet të ndërtohen hidrocentrale… Kemi 2,000 orë me diell në vit, për dallim me shumicën e shteteve të Europës të cilat i kanë 1,500”, u shpreh ai.

Ndërkaq, sipas Hofman theksi duhet të jetë në efiçiencën e energjisë.

“Efiçienca e energjisë është baza më e rëndësishme. Çdo megavat për orë që nuk duhet ta prodhosh është më mirë. Çdo cent që shpenzon në efiçiencë të energjisë përkthehet në para për vendin, krijon GDP për vendin dhe kthehet në punësim”, tha ai.

Hofman shtoi se Kosova duhet të angazhohet sa më shprejt për t’i arritur objektivat e saja për masat e energjisë efiçiente.

“Caku kombëtar për efiçiencë të energjisë është 25%, tash i keni vetëm 4%. Nuk do t’i arrini kurrë. E nëse nuk i merrni seriozisht me këtë tash nuk do ta arrijmë cakun kurrë”, u shpreh ai.

Ndërsa, Martin Shon-Chanishvili nga Germanwatch, tha se kalimi nga energjia e termike në atë të ripërëritshme ndikon edhe në klimën globale.

“Tranzicioni i energjisë nuk është vetëm për energjinë… Nëse nuk arrijmë ta bëjmë një tranzicion të energjisë, atëherë nuk do të arrijmë ta kontrollojmë klimën. Përndryshe do të ketë temperaturë të pakontrollueshme, do të ketë edhe përmbytje”, tha përfaqësuesi i organizatës gjermane.

Shon-Chanishvili tha po ashtu se thëngjilli po del gjithnjë e më shumë nga përdorimi.

“Thëngjilli është mënyrë e vjetër për të prodhuar energjinë dhe rreziku (ekonomik) është më i madh. Duhet të largoheni nga ai”, u shpreh ai.

“Ka një trend të qartë të rënies së çmimit të energjisë së ripërtëritshme”, tha Shon-Chanishvili.

04 Qershor 2018 - 16:18

Ardit Kika 04/06/2018 - 16:18
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend