Dardan Gashi u Flet Deputetëve për Investimet e Diasporës, Kartonin e Gjelbër...

Ligji për Investime Strategjike, buxheti i Ministrisë së Diasporës, kartoni i gjelbër, emisioni enkas për diasporë dhe kthimi i fondit të trurit nga diaspora ishin tema diskutimi pas raportimit të Ministrisë së Diasporës në Komisionin për Punë të Jashtme.

Ministri i Diasporës, Dardan Gashi,  para anëtarëve të Komisionit prezantoi raportin e punës duke theksuar se me ligjin për Investime Strategjike bizneset e diasporës e kanë më të lehtë investimin në Kosovë

“Tani njerëzit tanë që i kemi në diasporë janë të interesuar të investojnë në Kosovë, deri më tani nuk mund të themi se diaspora ka investuar tek ne, as nuk po themi se deri më tani nuk është punuar, por tani Ministrisë së Diasporës i është shtuar edhe sektori për Investimeve Strategjike që do të merret kryesisht me koordinimin dhe promovimin e investimeve nga diaspora”, tha Gashi.

Ministri po ashtu theksoi se në bashkëpunim me bizneset nga Kosova, ambasadat dhe Agjencinë për investime strategjike KIESA do t’i promovojnë resurset që i ka Kosova, si dhe përmes Ligjit për Investime Strategjike do t’u mundësojnë investitorëve potencialë nga diaspora të investojnë në Kosovë.

Ai pos tjerash theksoi se ligji për investime strategjike ende nuk funksionon në praktikë në mungesë të rregulloreve të punës

“Ligji për investime strategjike ka afat skadence, nuk është si ligjet tjera, ne tani duhet të shkojmë direkt me impelementim në praktikë sepse një vit e kemi humbur dhe na kanë mbetur edhe tri vite për implementim të këtij ligji. Arsyeja pse nuk ka hyrë në fuqi ky ligj është mos miratimi i rregulloreve përkatëse por edhe aspektet politike, dy prej rregulloreve kyçe janë miratuar, kurse dy tjera priten të miratohen në Qeveri brenda 15 ditëve të ardhshme, komisioni ndërministror do të themelohet javën e ardhshme që brenda dhjetorit të kemi fokusin e parë për të marrë statusin e investitorit strategjik” tha Gashi.

Kryesuesja e Komisionit për punë të jashtme Vjosa Osmani e pyeti Ministrin Gashi për buxhetin e pamjaftueshëm për të bërë strategji për investime.

“Siç po e shoh buxhetin dhe të punësuarit nuk ka ndryshime as për tri vitet e ardhshme, andaj kjo strategji e juaja e re nuk e di si do të funksionojë. Juve do ju duhen punëtorë shtesë, gjithashtu ju duhet ekspertizë shtesë sidomos për fushën e investimeve strategjike, sepse ligji për investime nuk është vetëm për Diasporën por për të gjithë andaj edhe këto dy rregullore që ju po i përmendni kanë nevojë për strategji dhe nevojitet buxhet”, tha Osmani.

Anëtari tjetër i komisionit Zafir Berisha po ashtu kishte pyetje për Ministrin Gashi se a do të ketë emision të veçantë për diasporën në kuadër të Televizionit Publik.

“Në kuadër të të gjitha aktiviteteve desha të dijë a ka mundësi që të ketë një televizon të veçantë për diasporën, e kam fjalën që në kuadër të televizionit publik të jetë një program i veçantë për diasporën, sepse diaspora rreth zhvillimeve në Kosovë më shumë është e informuar nga portalet, dhe mendoj se ata duhet të informohen nga televizioni publik”, tha Berisha.

Anëtarja tjetër e komisionit Aida Dërguti ishte e interesuar të dinte se a kishte Ministria e Diasporës ndonjë program që t’i kthente ekspertët e diplomuar për të kontribuar në Kosovë.

“Në regjistrimin e diasporës a janë të evidentuar edhe kualifikimi i tyre, duke e ditur se në diasporë tani kemi shumë kuadro të kualifikuar dhe ekspertë të fushave të ndryshme që mund të jenë kuadro deficitare këtu dhe a keni ndonjë plan për kthimin e trurit në Kosovë pasi jemi në fazën e zhvillimit ekonomik dhe ekspertët janë më se të domosdoshëm”, tha Dërguti.

Visar Ymeri, anëtar i këtij komisioni, kërkonte të dinte se nëse Ministria e Diasporës do të ndikonte në heqjen e pagesës së kartonit të gjelbër për Diasporën

“Ne e dimë se ata nuk shkaktojnë shumë dëme në komunikacion andaj kompanitë e sigurimeve kanë fitim jashtëzakonisht të madh nga kjo pjesë e polisave të sigurimit. Ne e dimë që kjo nuk është përgjegjësi e drejtpërdrejt e Ministrisë suaj, por a mund të na tregoni se cili është plani konkret i Ministrisë së Diasporës për këtë çështje”, tha Ymeri.

Në të gjitha pyetje Ministri Gashi ktheu përgjigje duke theksuar se ishin dakorduar me Ministrin e Financave që në qershor, pas rishikimit të buxhetit, kësaj ministrie t’i shtoheshin edhe 600 mijë euro buxhet. Për hapësirën në televizionin publik, Ministri Gashi theksoi se me ligj 9% e programeve në RTK i takojnë Diasporës por, sipas tij, shfrytëzohet vetëm 1% me programe për diasporë.

Për kartonin e gjelbërt, Gashi tha se tani Ministria e Diasporës do të ofrojë që ai të paguhet online për ta kursyer kohën, si dhe në pikën kufitare Merdar do të shtohen katër kabina për ta evituar pritjen.

Kurse për fondin e trurit Ministri Gashi theksoi se ka qenë e planifikuar që një Ministri ta ketë së paku një zëvendës që jeton në diasporë që do t’i rregullonte këto procese, por “tani nuk ka mundësi për shkak stërngarkesës me zëvendës ministra nga Kosova”.