Dalin para gjyqit ish-drejtuesit e Telekomit

Ish-krerët e Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj, kanë kundërshtuar akuzën e cila u vihet në barrë nga Prokuroria, nën pretendimin se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare në lidhje me një marrëveshje në mes të Vala dhe Z-Mobile.

Lidhur me kundërshtimet e palës mbrojtëse, Prokuroria Speciale ka kërkuar një javë kohë që t’i përgjigjet me shkrim këtyre kundërshtimeve.

Mbrojtësi i Ejup Qerimit, avokati Ramiz Krasniqi, përpos që ka kërkuar që ndaj të mbrojturit të tij të hedhet aktakuza, Gjykatës i ka kërkuar që ndaj Ejup Qerimit të veçohet procedura pasi që, sipas tij, periudha inkriminuese për të cilën akuzohet i mbrojturi i tij nuk është e njëjtë me periudhën për të cilën akuzohen dy të akuzuarit e tjerë dhe se i mbrojturi i tij nuk akuzohet që veprën e ka kryer në bashkëkryerje.

“Ne kemi pasur vërejtje parimore ndaj aktakuzës duke theksuar se i mbrojturi ynë është dashur të veçohet nga kjo procedurë penale për faktin se edhe periudha e inkriminuar nuk është e njëjtë me periudhat e inkriminuara për të tjerët, provat materiale nuk janë të përbashkëta dhe i njëjti nuk është i akuzuar se veprën e ka kryer më bashkëkryerje”, tha avokati Ramiz Krasniqi.

Sipas avokatit këto rrethana mjaftojnë që nëse eventualisht nuk hedhet aktakuza, atëherë të zhvillohet një proces i veçantë ndaj Ejup Qerimit.

Tutje avokati Krasniqi tha se Prokuroria nga i mbrojturi i tij po kërkon përgjegjësi se pse i njëjti nuk e ka zbatuar kontratën e cila është lidhur në vitin 2009, por sipas avokatit është një vendim gjyqësor në shkresat e lëndës me të cilin është pezulluar zbatimi i kësaj kontrate.
E mbrojtësi i Agron Mustafës, avokati Artan Çerkini, tha se aktakuza nuk e kalon as dyshimin e arsyeshëm i cili është kusht për fillim të hetimeve.

“Sipas vlerësimit të mbrojtjes aktakuza nuk e plotëson as standardin e dyshimit të arsyeshëm që është standard për fillim të hetimeve dhe lërë më standardin e dyshimit të bazuar mirë i cili kërkohet për ngritjen e një aktakuze”, tha avokati Çerkini.

Ai me tej tha se të pandehurit janë duke u akuzuar për një epilog të një kontesti civil, nën pretendimin se të njëjtit nuk kanë arritur rezultat në negociata në një proces civilo-juridik, e që sipas avokatit objekt i kontestit në mes palëve ka qenë interpretimi i kontratës e jo siç i referohet në aktakuzë prokuroria një aktgjykimi në një rast tjetër penal i cili ka pasur për objekt shqyrtimi krejt diçka tjetër prej asaj se çka është shqyrtuar në arbitrazhin ndërkombëtar.

“Objekt shqyrtimi në çështjen penale paraprake ka qenë konstatimi se një kontratë a është e dëmshme apo jo, dhe është konstatuar se nuk është e dëmshme. Ndërsa objekt shqyrtimi në arbitrazhin ndërkombëtar nuk ka qenë ligjshmëria e kontratës por kontesti në mes të palëve në lidhje me interpretimin e saj”, tha avokati Çerkini.

Mbrojtësi i të akuzuarit Rexhë Gjonbalaj, avokati Teki Bokshi, tha se pretendimet e prokurorisë se i mbrojturi i tij e ka shfrytëzuar detyrën zyrtare me qëllim që t’i shkaktojë dëm operatorit Z-Mobile nuk kanë mbështetje faktike e as ligjore.

“Të akuzuarit Rexhë i vihet në barrë se e paska shfrytëzuar pozitën, se nuk paska përmbushur detyrat e tij zyrtare se paska pas qëllim që të dëmtuarës Dardafon-Z Mobile t’i shkaktojë dëmin, se këto çështje bien në detyrat e tij strategjike dhe se i njëjti si kryesues ka lejuar parashtrimin e ankesave me të cilën është shkaktuar dëmi material në shumat e cekura në aktakuzë. Për këto pretendime të aktakuzës nuk ka mbështetje as faktike e as ligjore”, deklaroi avokati Bokshi.

Avokati tha se në shkresat e lëndës gjendet edhe një shënim zyrtar që dëshmon se procedura hetimore në këtë çështje është zhvilluar në mënyrë veçanërisht specifike, ku sipas avokatit praktikisht Prokurori në një takim me hetuesit policorë i ka sugjeruar që të paraqesin kallëzimin penal vetëm ndaj dy të akuzuarve të parë, e që sipas avokatit nuk është e qartë se pse më vonë ka ndryshuar ky qëndrim dhe kush ka ndikuar që Prokurorja e çështjes më vonë të paraqesë akuzë edhe ndaj Rexhë Gjonbalaj.

Në lidhje me kundërshtimet lidhur me aktakuzën, Prokurorja speciale Florije Shamolli kërkoi një javë kohë që të përgjigjet me shkrim.

“Kërkoj që në afatin kohor prej një jave ashtu siç është paraparë me këtë dispozitë se Prokuroria do t’u përgjigjet me shkrim”, deklaroi prokurorja Shamolli.

Pas dëgjimit të kundërshtimeve të palëve, gjykatësi Lutfi Shala tha se pasi që Gjykata të pranojë përgjigjen e Prokurorisë lidhur me kundërshtimin e aktakuzës do të marrë vendim me shkrim lidhur me pretendimet e mbrojtësve si dhe përgjigjet nga Prokuroria Speciale.

KALLXO.com mëson se aktakuza ka të bëjë me veprimet që i paraprin vendimit të Gjykatës dhe pastaj kontestit në arbitrazh, e të cilat u përmbyllën me marrëveshjen në mes të Valës dhe Z-mobile.

Agron Mustafa dhe Ejup Qerimi, në kohë të ndryshme, kanë mbajtur pozitën e kryeshefit të Telekomit.

Ndërsa, Rexhë Gjonbalaj ka qenë kryetar i Bordit të Telekomit të Kosovës.

KALLXO.com, në dhjetor të vitit të kaluar ka raportuar për fillimin e hetimeve për këtë rast. Në atë kohë, prokurori Abdurrahim Islami kishte konfirmuar për KALLXO.com se kishte nxjerrë aktvendim për nisjen e hetimeve në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me këtë rast.

https://kallxo.com/prokuroria-speciale-nise-hetime-ndaj-agron-mustafes-dhe-zyrtareve-te-telekomit/

Më 24 maj të vitit 2017, Telekomi i Kosovës dhe Dardafon (Z-Mobile) arritën marrëveshje për përmbylljen e vendimit të arbitrazhit rreth kontratës për operator virtual të telefonisë mobile.

Vendimi u paraqit si një triumf për kompaninë pasi e lironte Telekomin nga obligimi i pagesës prej 30 milionë eurove për kompaninë Z-Mobile.

Në vitin 2016 Gjykata e arbitrazhit kishte vendosur në favor të kompanisë Z-Mobile në kontestin me Telekomin e Kosovës.

Vendimi krijonte obligime për të kompensuar një dëm prej 30 milionë euro.

Menjëherë pas vendimit, pushtetarët dhe njerëzit e drejtësisë kishin reaguar duke kërkuar hetime dhe përgjegjësi për këtë humbje.

‘Gjakrat ishin qetësuar’ disa muaj më vonë kur Telekomi dhe Z-Mobile u dakorduan që vendimi për pagesën e 30 milionë eurove të mos zbatohej.

Prapaskenat Juridike të Marrëveshjes ‘Z-Mobile’ – Telekomi i Kosovës