Votimi i Valdete Dakës | Foto: KALLXO.com

Daka Voton dhe Bën Thirrje për Dalje në Zgjedhje

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka pak minuta pas orës shtatë e dha votën e saj.

Daka votoi Qendrën e Votimit 1907E, në Fakultetin Teknik, në Prishtinë.

Pas votimit, duke ftuar edhe të tjerët me të drejtë vote për të dalë në zgjedhje, Daka kërkoi proces të rregullt zgjedhor.

“I ftoj komisionarët të mos e keqpërdorin detyrën e tyre”, tha Daka.

Ajo nuk kishte ende dijeni nëse të gjitha qendrat e votimit janë hapur në orën shtatë të mëngjesit.

“Te gjitha vendvotimet se kam informaten se a jane hapur se sapo dola nga shtëpia, por besoj se po”, tha Daka.

Sipas Sadullah Avdiut, menaxherit të qendrës ku votoi Daka, të drejtë vote aty kanë 720 persona, ndërsa qendra është hapur me kohë dhe nuk ka pasur probleme.

KQZ-ja në orën tetë e ka paraparë konferencën e parë për gazetarë në të cilën do të njoftojë rreth hapjes së vendvotimeve.

Zgjedhjet e parakohshme që do të zhvillohen sot, u caktuan pasi Kuvendi i Kosovës me një mocion mosbesimi rrëzoi qeverinë më 10 maj.

Të drejtë vote në zgjedhjet e 11 qershorit kanë 1 milion e 872 mijë e 941 votues në 889 qendra votimi.

Votues që kanë të drejtë vote për herë të parë janë 118 mijë e 448 persona, ndërsa nga listat janë larguar 33 mijë e 542 persona të vdekur.

Zgjedhjet do të monitorohen nga 30 mijë vëzhgues, 100 nga ta të BE-së.