Daja i Ramush Haradinajt ftohet nga Gjykata Speciale

Ish-eprori i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Zona e Dukagjinit, Lahi Brahimaj, është i ftuari i radhës nga Gjykata Speciale në Hagë.

Këtë e ka konfirmuar vet Brahimaj për KALLXO.com.

Ai ka thënë se do t’i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese.

“Po, jam ftuar nga Gjykata Speciale”, tha Lahi Brahimaj, i cili nuk pranoi të tregojë se kur e ka pranuar ftesën.

“Nuk dua të tregoj se kur e kam pranuar ftesën dhe as kur do të dëshmoj, por mund të jua konfirmoj që do të shkoj”, Lahi Brahimaj për KALLXO.com.

I pyetur se a është ftuar nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit apo të dëshmitarit, Lahi Brahimaj tha se do të shkojë të intervistohet si “një lider i UÇK-së”.

Gjatë kohës së luftës, Lahi Brahimaj ka qenë një prej anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Ai ishte gjykuar dhe dënuar nga Gjykata e Hagës për krime të luftës që pretendohej se janë kryer në zonën ku ka luftuar ai.

Bashkë me Brahimajn, në Hagë ishte gjykuar edhe nipi i tij, kryeministri Ramush Haradinaj, si dhe Idriz Balaj.