Daçiq Publikon Tërheqjen e Njohjes nga Surinami, MPJ ‘e Painformuar’

Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, tha sot në Beograd se Surinami, vendi që vitin e kaluar e kishte njohur pavarësinë e Kosovës, ka vendosur që ta tërheqë këtë njohje.

“Pas punës së gjatë dhe shumë bisedimeve, mbrëmë jam njoftuar nga Ministrja e Punëve të Jashtme e Surinamit dhe gjatë natës ka ardhur edhe nota verbale, në të cilën bëhet e ditur se qeveria e Republikës së Surinamit e tërheq vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës së Kosovës dhe Metohisë si shtet I pavarur”, tha Daçiq para gazetarëve në Beograd.

Mediat në Serbi kanë publikuar edhe letrën e vendimit për tërheqjen e kësaj njohjeje.

Në letër thuhet se një njoftim për këtë vendim i është dërguar edhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.

Por zëvendës ministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, tha për KALLXO.com se kjo ministri nuk ka marrë asgjë zyrtare.

“Jo, nuk kemi informacion zyrtarë për këtë”, tha shkurtimisht Berisha për KALLXO.com

I pyetur në lidhje me deklarimin e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, Berisha thotë se Serbia është palë e tretë në këtë rast dhe “ata mund të thonë çkado”.

“E lexova atë çfarë ka thënë Daçiqi, por nuk është e thënë që ne, sa herë që flet një zyrtar serb me u marrë gjithë kohën me ta. Ne zyrtarisht nuk kemi kurrfarë informacioni për këtë, tash Serbia është palë e tretë këtu, ata mund të thonë çfarëdo”, tha për KALLXO.com Berisha, që është emëruar së fundi në pozitën e zëvendës ministrit në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Letra e tërheqjes së njohjes së Kosovës nga Surinami, e publikuar nga mediat serbe. Burimi: RTS.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj edhe me Ministrin Pacolli, por komunikimi me të s’ka qenë i mundur.

Republika Suriname kishte njohur Kosovës në Korrik të vitit të kaluar. Këtë e kishte lajmëruar ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.

http://kallxo.com/suriname-njeh-pavaresine-e-kosoves/

Në rast të tërheqjes nga njohja, Surinami bëhet shteti i parë që e bën këtë ndaj Kosovës.