Nënshkrimi i marrëveshjes për termocentralin "Kosova e Re" - Foto: KALLXO.com

Contour Global: TC 'Kosova e Re' ndërtohet pa Bankën Botërore

Investitori ‘Contour Global’ ka reaguar pas deklaratës për tërheqjen nga financimi i TC ‘Kosova e Re’ të presidentit të Bankës Botërore, Jim Yong Kim në takimin me shoqërinë civile në Bali të Indonezisë.

Themeluesi i ‘Contour Global’, Joseph Brandt ka përsëritur angazhimin e tyre në projektin e termocentralit ‘Kosova e Re’.

Brandt ka deklaruar se Banka Botërore nuk është e rëndësishme për përfundimin e suksesshëm të termocentralit ‘Kosova e Re’.

“Roli i Bankës kurrë nuk do të sigurojë financim për projektin dhe deklaratat e saj rreth projektit nuk kanë asnjë ndikim në këtë proces. Ne së bashku me Qeverinë e Kosovës mbetemi të vendosur për këtë projekt të rëndësishëm i cili arriti kulmin kritik të mbylljes komercial vitin e kaluar. Ne mbetemi të sigurt për sigurimin e financimit të nevojshëm dhe një afat kohor që do të shohë fillimin e ndërtimit të termocentralit në fillim të vitit 2019”, ka thënë Brandt, thuhet në njoftimin e Contour Global.

Sipas këtij njoftimi, Contour Global po vazhdon të bëjë progres në sigurimin e financimit për termocentralin ‘Kosova e Re’, ku asnjëra prej tyre nuk mbështetet në mbështetjen e Bankës Botërore, duke përfshirë një përzierje të financimit nga institucionet financiare për zhvillim, si Korporata për Investime Private të Jashtme dhe Agjencitë Ndërkombëtare të Eksportit.

“Procesi i përzgjedhjes për ofruesit e Inxhinierisë, Prokurimit dhe Ndërtimit (EPC) mbetet në plan. Pas shpalljes së procesit të përzgjedhjes fillestare në qershor, katër aplikantë ndërkombëtarë me përvojë shumë të lartë u kualifikuan në shtator. Tani është duke u zhvilluar një proces i RFP”, vazhdon njoftimi i Contour Global.

Presidenti i Grupit të Bankës Botërore, Jim Yong Kim dje ka thënë që Banka Botërore nuk do ta mbështesë ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” në Kosovë.

“Po, ne kemi një qëndrim të fortë që të mos shkojmë përpara me termocentrale me qymyr sepse na është kërkuar nga biologët tanë që të shkojmë me opsionin me koston më të ulët dhe energjia e ripërtëritshme tani vjen poshtë kostos së qymyrit. Pra, pa asnjë dilemë, nuk do ta bëjmë këtë”, ka deklaruar Kim.

Kim shpalosi qëndrimin e Bankës Botërore rreth termocentralit 1.3 miliardë euro kur u pyet prej Visar Azemit, drejtorit ekzekutiv i “Balkan Green Foundation” në takimet vjetore të Grupit të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar që po zhvillohen në Bali të Indonezisë.

“Siç e dini, Ballkani është duke u varur nga energjia fosile. Shtetet garojnë me njëra tjetrën se kush do ta dominojë sektorin e energjisë në rajon duke ndërtuar më shumë termocentrale. Në njërin nga projektet është angazhuar personalisht Banka Botërore në Kosovë, por sot dëgjuam nga drejtori juaj për klimën që ky projekt nuk është më në tavolinë për Bankën Botërore dhe ne do të donim të merrnim një konfirmim nga ju”, ishte pyetje e Azemit kundrejt Kim.

https://kallxo.com/banka-boterore-nuk-e-perkrah-termocentralin-kosova-e-re/

Edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se investitori ‘Contour Global’ është në rrugë të drejtë të sigurimit të financimit të TC ‘Kosova e Re’ nga burime të ndryshme siç janë agjencitë eksportuese shtetërore dhe institucionet financiare ndërkombëtare.

“Contour Global është në rrugë të drejtë të sigurimit të financimit të këtij projekti nga burime të ndryshme siç janë agjencitë eksportuese shtetërore dhe institucionet financiare ndërkombëtare”, ka thënë Lluka.

https://kallxo.com/reagon-ministri-lluka-pas-terheqjes-se-bankes-boterore-nga-financimi-i-tc-kosova-e-re/